Ish-ambasadori i Kosovës në Çeki: Samiti i Sllovenisë është samit i konstruktivitetit funksional

by admin
Spread the love

Ish-Ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, e ka komentuar samitin e mbajtur gjatë ditës së sotme në Brdo të Sllovenisë, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Vllahiut, ky samit është samit i konstruktivitetit funksional, i cili ka për qëllim ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në rajon.

“Ky është një samit i vazhdimit të Sofjes në vitin 2018 e Zagrebit në vitin 2020. Do ta përkufizoja si samit i konstruktivitetit funksional, samit që ka për qëllim ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Vllahiu në “InfoMagazine”.

Ish-amdasadori është shprehur se të gjitha vendet kanë pritur që Bashkimi Evropian pas një pauze do të fillonte procesin e zgjerimit ose të paktën të përcaktonte se kur do të jetë data e re.

“Është zhgënjyese se Bashkimi Evropian nuk ka arritur ta përkufizojë se çka kupton me zgjerimin, përveç fjalëve që Ballkani Perëndimor duhet t’i plotësojë kushtet dhe në bazë të meritave të tregohet rruga e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet të kryhen reforma të brendshme brenda Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për sundimit e rendit dhe të ligjit, në bashkimin rajonal, zhvillimin ekonomik, dhe në fusha tjera si forcimi i shoqërisë civile dhe i mediave.

“Ka pasur një proces të Berlinit që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të ndërlidhura me këtë proces që t’i ndihmojë të reformohen të bëjnë një lloj bashkëpunimi në rajon, të kenë zhvillim ekonomik, një treg të përbashkët, u duk që procesi i Berlinit do të zëvendësonte rrugën evropiane” u shpreh ai.

Por që sipas tij BE-ja duhet ta përkufizojë se cilët janë kushtet e sakta për secilin vend për anëtarësim.

“Nëse i hyjmë një analize të thellë Kosova i ka përmbushur 96 kritere, por prej tyre 95 janë të mbyllura, një është gjithmonë aktiv dhe ky është sundimi i ligjit, elementi themelor”, ka thënë ai.

Sipas tij ka shumë gjëra që lidhen me sundimin e ligjit, është migrimi ilegal , korrupsioni, krimi i organizuar dhe këto sipas tij janë elementet që BE-ja i sheh se duhet të përmirësohen në mënyrë që të ecet përpara.

“Kriteri i sundimit të ligjit është diçka që zhvillohet, është i përditshëm, shkon gjithmonë në ndërlidhje me mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë. Nuk kemi arritur që vendet anëtare të BE-së t’i bindim që kemi pasur një përmirësim të dukshëm në sundimin e ligjit”, është shprehur Vllahiu.

Andaj edhe u shpreh pesimist për liberalizimin e vizave. Por sipas tij institucionet e Kosovës duhet në vazhdimësi me dokument e me shifra konkrete t’i bindin vendet anëtare të BE-së që ky proces duhet të mbyllet dhe që Kosova e ka merituar këtë jo sot por shumë më herët.

Ndërkaq për procesin e dialogut, ish-ambasadori ka thënë se është vendimtar për gjithë vendet e rajonit.

“Dialogu Kosovë-serbi është përcaktues për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për fatin e Ballkanit Perëndimor në të ardhme. Ndikon edhe në raportet e Kosovës me vendet e BE-së në mënyrë bilaterale, edhe në liberalizimin e vizave, dhe ka ndikime edhe në aspektin ekonomik dhe investimeve të huaja, lirinë e lëvizjes, në fakt ajo që e çliron rrugën e Kosovës”, ka thënë ai.

You may also like