IRAN – Nisin protestat pas vdekjes së gruas kurde të arrestuar nga policia e moralit

by admin
Spread the love

LONDËR, 19 shtator /ATSH/-Shefi i policisë së Teheranit tha se vdekja e një gruaje në paraburgim javën e kaluar ishte një incident fatkeq që nuk do të donte të përsëritej, raportoi media lokale, sipas BBC.

Mahsa Amini, 22 vjeç, vdiq disa orë pasi u ndalua nga policia e moralit, e dyshuar për shkelje të rregullave të rrepta të hixhabit.

Dëshmitarët akuzuan oficerët për rrahjen e saj, duke shkaktuar protesta në kryeqytet dhe në provincën e saj të Kurdistanit.

Por, gjenerali i policisë Hossein Rahimi i quajti këto pretendime “frikacake” duke këmbëngulur se ajo nuk kishte pësuar asnjë dëmtim fizik.

“Ne do të presim deri në ditën e gjykimit, por nuk mund të ndalojmë së kryeri punën e sigurisë”, tha Rahimi.

Amini, një kurde etnike nga qyteti perëndimor i Saqezit, vdiq të premten në spital pasi kaloi tre ditë në koma.

Ajo u arrestua të martën nga policia e moralit jashtë një stacioni metroje në Teheran. Ata e akuzuan atë për shkelje të ligjit që u kërkon grave të mbulojnë flokët me shami, krahët dhe këmbët me rroba të gjera.

Sipas dëshmitarëve, ajo u rrah ndërsa ishte brenda një furgoni policie që po e çonte në një qendër paraburgimi.

Policia hodhi poshtë akuzat duke thënë se shkaku i vdekjes ishte ndalimi i papritur i zemrës, ndërsa ajo priste me gratë e tjera në objekt për t’u “edukuar”.

Ata publikuan pamjet e kamerave CCTV që tregonin një grua e identifikuar si Amini duke folur me një zyrtare femër, e cila i rrëmben veshjet. Më pas ajo shihet duke mbajtur kokën me duar dhe duke u rrëzuar përtokë.

Ministri i Brendshëm tha të shtunën se Amini besohet të ketë patur probleme shëndetesore.

Megjithatë, babai i saj  tha se vajza e tij nuk kishte probleme shëndetësore dhe se ajo kishte pësuar mavijosje në këmbët e saj dhe pamjet e CCTV tregonin një version të redaktuar të ngjarjeve.

Vdekja e saj shkaktoi kritika të gjëra pas veprimeve të policisë, e cila kohët e fundit kishte nisur një aksion kundër veshjeve të papërshtatshme.

Protestat shpërthyen në Saqez pas funeralit të saj të shtunën, ku forcat e sigurisë thuhet se hapën zjarr ndaj një turme që marshoi drejt zyrës së guvernatorit lokal.

Gjithashtu pati përleshje mes protestuesve dhe policisë në Sanandaj, kryeqyteti i Kurdistanit, të shtunën dhe të dielën.

Grupi kurd i të drejtave të njeriut “Hengaw” tha se të paktën 38 persona u plagosën nga plumba të vërtetë ose plumba gome, pesë prej tyre ndodhen në gjendje kritike.

Videot e postuara në mediet sociale të hënën gjithashtu thuhet se treguan protesta të reja në Kurdistan dhe në universitetet në Teheran.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like