IRAN – Mbi 40 të vrarë pas protestave për vdekjen e Aminit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

TEHERAN, 25 shtator /ATSH-DPA/ – Të paktën 41 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini, në paraburgim nga policia, njoftoi sot transmetuesi kombëtar iranian, IRIB.

Megjithatë, nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar të shifrës.

”Protestat vazhduan gjatë natës deri në orët e para të së dielës”, sipas raportit, me videot që qarkulluan në median sociale që tregonin demonstrues në Teheran dhe pjesë të tjera të vendit.

Sipas dëshmitarëve okularë në kryeqytet, si forcat e sigurisë ashtu edhe protestuesit po bëhen gjithnjë e më të dhunshëm.

”Forcat e sigurisë po godasin demonstruesit në mënyrë më agresive dhe të shtënat mund të dëgjoheshin gjithnjë e më shumë”, thanë ata.

Ndërkohë, veçanërisht protestuesit e rinj po bëheshin më të dhunshëm, duke dëmtuar ndërtesat publike, duke u vënë flakën makinave dhe kazanëve të mbeturinave dhe duke rrahur policët.

Përveç “Vdekje diktatorit”, demonstruesit kanë brohoritur edhe slogane si “Ky është viti i gjakderdhjes!” dhe “Më mirë të vdesim sesa të vazhdojmë të durojmë poshtërimin!”.

Amini u arrestua më 13 shtator për shkelje të kodit të rreptë të veshjes islame.

Ajo ra në koma dhe vdiq në spital ditë më vonë, por është e paqartë se çfarë e shkaktoi vdekjen e saj, e cila shkaktoi protesta dhe trazira në të gjithë Iranin.

Kritikët akuzojnë Policinë e Moralit për përdorim të dhunës.

Policia hedh poshtë akuzat dhe Ministria e Brendshme e vendit tha dje se policët nuk kishin faj, duke pretenduar se e reja vdiq nga insuficienca kardiake në komisariat.

Që atëherë, qindra mijëra njerëz kanë protestuar në të gjithë vendin kundër qeverisë, me qindra të arrestuar deri më tani./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like