Institucionet në Maqedoni sigurojnë që “Dardanus” e ka vendin në Muze

by admin
Spread the love

Dy pllakat mbivarrore të gjetura në Shkup do të jenë të sigurta në duart e shtetit e të profesionistëve, që do t’i përkthejnë nga latinishtja. Mbishkrimi i njërës pllakë, i cili sipas vlerësimit preliminar përmban kushtimin e një banori të Shkupit të shekullit të gjashtë, ku përmend të birin e vet me emrin “Dardanus”, ka nxjerrë të enjten te varrezat e “Karposhit”, në Shkup, zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë për Trashëgimi Kulturore. Të gjithë papërjashtimisht kanë siguruar që, pas përfundimit të punimeve nga Qendra Nacionale për Konservim në Shkup, do të dërgohen në Muzeun Arkeologjik
Zbulimi i paradoditshëm i një kushtimi mbivarror i një banori të Shkupit me emrin Epikrat është kthyer në epiqendër të vëmendjes në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë punimeve të një investitori në varrezat e vjetra në lagjen “Karposh”, në Shkup, janë nxjerrë në sipërfaqe dy stela mbivarrore me kushtime në latinisht. Në njërën prej tyre lexohet qartazi emri “Dardanus”.

Kanë mjaftuar disa afishime joprofesionale në rrjetet sociale që lajmi për këtë zbulim të shoqërohet edhe me alarmin se këto dy pllaka janë duke u shkatërruar qëllimisht nga autoritetet në Maqedoni. Për aq sa shihej nga pamjet fotografike nga vendi i ngjarjes, njëra nga këto stela shihej e dëmtuar në cepin e djathtë të poshtëm, por nuk ka pasur asnjë konfirmim që kjo të jetë bërë qëllimisht.

Pas raportimit në mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në varrezat e “Karposhit” kishte dalë menjëherë kreu i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Arian Asllanaj, i cili kishte premtuar se kjo pllakë së shpejti do të dërgohej në Muzeun Shtetëror.

“Po ju premtojmë se brenda dy ditësh kjo do të pastrohet e do të ruhet maksimalisht e do të ekspozohet në Muzeun e Maqedonisë, aty ku është e lejuar ruajtja”, kishte thënë ai.

Dy stelat mbivarrore janë bërë kryelajm i ditës edhe gjatë së enjtes kur Drejtoria për Trashëgimi Kulturore në Maqedoninë e Veriut ka dhënë vlerësimin preliminar mbi përmbajtjen e njërës nga gjetjet mbivarrore në “Karposh”.

“Në mbishkrimin e epitafit që u bë kaq shumë i famshëm shkruan se i ndjeri Epikrati ka shkruar në pllakë për të shoqen dhe tre djemtë e tij, ku më i vogli prej tyre mban emrin ‘Dardanus’”, ka thënë Asllanaj, i cili të enjten vizitoi për herë të dytë vendin e zbulimit.

Teksa ka thënë se e kupton ndjeshmërinë e publikut, ai ka kërkuar që të ketë durim derisa të kryhen të gjitha punimet dhe hulumtimet shkencore.

“Duhet të ketë një përmbledhje, por të gjitha artefaktet do të ruhen, siç është edhe rasti me një stelë tjetër që ruhet në Muze”, ka shtuar Asllanaj.

Lokalitetin gjatë ditës e ka vizituar edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili para mediave të pranishme ka thënë se nuk do të lejohen ndërhyrje në lokalitet derisa të nxirren të gjitha artefaktet.

“Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit vlerësohet se investitori i ka kryer të gjitha procedurat dhe ka marrë leje për konservim”, ka thënë numri dy në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. “Të gjitha artefaktet që gjenden këtu do të dërgohen në Muzeun e Shkupit nga Qendra për Konservim, e cila po bën punimet këtu e jo investitori”.

Më tej, zëvendëskryeministri Grubi ka përsëritur që derisa të përfundojnë punimet nga Qendra për Konservim e Shkupit, nuk do të lejohet kurrfarë ndërtimi nga investitori.

“Të gjitha procedurat ligjore janë përmbushur dhe nuk bëhet fjalë për asnjë tjetërsim të çfarëdo qoftë artefakti të trashëgimisë kulturore të cilido komunitet në vend”, ka thënë ai.

I pranishëm në terren ka qenë edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri. Ai ka thënë se nga sot e gjithë vëmendja e ekzekutivit qeveritar është mbi këtë lokacion.

“Nga sot e tutje, punimet do të rrjedhin më ndryshe dhe të gjitha vërejtjet që i kemi si institucione do të provojmë t’i eliminojmë e të garantojmë një punë të rehatshme të arkeologëve”, ka thënë Aziri.

Ndërkaq, komentimet nuk janë mbyllur me kaq. Arkeologu shqiptar që jeton në Itali, Etnor Canaj, ka reaguar ndaj pretendimeve se pllakat e sapogjetura janë dëmtuar. Ai në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se nga pamjet e publikuara nuk shihet të jetë bërë ndonjë shkatërrim.

“Jo vetëm që asnjë nuk është duke e rrënuar, dëmtuar apo shkatërruar këtë sit, por përkundrazi kemi të bëjmë me një gërmim profesional, të kujdesshëm dhe ashtu sikurse duket në imazhe është dokumentuar”, ka shkruar Canaj.

Edhe studiuesi i historisë nga Prishtina, Col Mehmeti, ka thënë se gjetjet e tilla duhet tani t’i nënshtrohen përimtimit kompetent nga arkeologët e jo të krijohet frymë paniku në opinion.

“Derisa jemi në pritje të transliterimit dhe përkthimit profesional të mbishkrimit në latinisht, kjo pllakë mbivarrore ka rëndësi jo të vogël në qartësimin e konteksteve lokale në Perandorinë Romake në shekullin e gjashtë të erës sonë”, ka thënë Mehmeti për KOHËN.

Sipas tij, identiteti romak i të gjithë shtetasve të Perandorisë “nuk ka arritur t’i anashnxjerrë identitetet e përkatësitë lokale në Ballkan, veçmas në provincën e Dardanisë”.

“Kur e lexojmë Prokopin, historian zyrtar i perandorit Justinian, Dardanisë i jepet një prominencë nga të gjitha provincat e tjera si vend ku lindi perandori i njohur”, ka thënë Mehmeti. “Dihet se në periudhën parasllave romanizimi kishte bërë përparime të dukshme midis ilirëve, por megjithatë evidencat nga terreni japin të kuptojmë se elementi lokal u ruajt në një mënyrë ose tjetër”.

Të martën edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITShKSh) kishte dalë me një reagim sipas të cilit vlerat arkeologjike nuk mund të jenë pronë private.

Sipas Departamentit të Kulturës Materiale, që vepron brenda këtij instituti, Shkupi, ose Scupi siç njihej asokohe, ishte qendër e mbretërisë dardane.

“Stelat si gurë mbivarrorë në të cilat shënohen të dhënat e personit të vdekur, si dhe personit i cili e ka ngritur atë stelë, janë gjetur ndër vite, jo vetëm në Scupi, por edhe në shumë vendbanime e lokalitete të tjera arkeologjike në tërë territorin e Dardanisë”, thuhej në komunikatë.

Ndërsa ka kërkuar që stelat e sapozbuluara të përkthehen e studiohen, ITShKSh u është referuar studimeve të arkeologes Exhlale Dobruna-Salihu, e cila ka studiuar prej kohësh plastikën dekorative dardane, duke përfshirë edhe stelat e zbuluara ndër vite në Shkup. “Në bazë të fotografive që po shohim, mendojmë se stelat janë të tipit I-varianti A”.

Ky Institut, më tej, e kishte cilësuar shqetësues faktin që “pronari” që po i kryente punimet në varrezë nuk i ka lejuar mediat të merrnin pamjet e stelave në fjalë, me arsyetimin se janë “pronë private”.

“Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit është se si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike”, ishte thënë në reagim.

Me thirrjen që institucionet t’i ndërprenë të gjitha punimet në këtë zonë, ITShKSh kishte kërkuar që këto stela të dërgohen sa më parë në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, duke tërhequr vërejtjen se “çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme”.







Artikulli paraprakGrubi: Ndryshimet kushtetuese do ndodhin, po ndërtojmë frontin pro BE




You may also like