Inspektorati i Tregut dhe hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë mbyllur përkohësisht dy depo në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë.

“Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë (në Fushë Kosovë dhe Graçanicë)”, ka njoftuar kjo ministri, shkurt nëpërmes një postimi në Facebook.

Postimi është shoqëruar me dy fotografi nga depot, por nuk jepen detaje të tjera.

Por mediet më herët kanë raportuar se aksioni është ndërmarrë në depon kryesore të zinxhirit të marketeve “Viva Fresh Store”.

Aksioni është zhvilluar për shkak të dyshimeve të mashtrimit me çmimin e vajit dhe fshehjen e këtij produkti nga raftet e marketeve, me arsyetimin se mungon. Sipas burimeve nga policia, depoja e “Viva Fresh Store” është mbyllur për afat të pacaktuar dhe lënda ka shkuar në gjykatë.

“E kanë mbyllur në afat të pacaktuar depon e ‘Viva Fresh Store’. Në vendin e ngjarjes ka qenë kryeinspektorja e tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lebibe Haliti”, kanë thënë këto burime të paemërtuara.

Bëhet e ditur se gjatë inspektimit në këtë depo janë gjetur stoqe pa mbulueshmëri me dokumente dhe çmime në shpërputhje me rregullat e tregut.

“Në stoqet e depos së Viva Fresh Store janë gjetur 100 mijë litra vaj, të cilat dyshohet se janë fshehur qëllimisht dhe nuk janë hedhur në treg”, kanë thënë burimet policore.

Aksioni është zhvilluar nga ora 18:00 deri në orën 21:45.

You may also like