Indrit Hoxha: Pas 11 dhjetorit, Bashës do t’i japim mundësinë e krijimit të fraksioneve në PD

by admin
Spread the love

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe mbështetës i “Foltores” së Sali Berishës, Indrit Hoxha, është i bindur në mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit.

Gjithashtu, ai deklaroi se është një plan i qartë që pas 11 dhjetorit, do të nisë me shkarkimin e Bashës dhe ngritjen e komisionit ad hoc, që do të marrë drejtimin e partisë deri në zgjedhje.

Plani i qartë është vendosur nga anëtarët që kanë thirrur kuvendin e PD-së. Në të do të propozojmë disa ndryshime ku një është shkarkimi i kreut aktual në detyrë. Dua t’ju siguroj që më 11 dhjetor do keni një spektakël transparence në Pallatin e Kongreseve. Kuvendi i thirrur nga Basha-Bardhi bie ndesh me statutin. Ajo kryesi ka vetëm 15 të zgjedhur dhe 10 kanë votuar kundër. Do të ngrihet komisioni ad hoc që do të marrë drejtimin e partisë deri sa të bëhen zgjedhjet. Do të shkojmë në zyrat e selisë së PD, se nuk na ndalon njeri. Do të merret me protokoll inventar dhe pa incidente”.

Ai përjashtoi mundësinë e largimit të Bashës nga PD-ja, por tha se do t’i jepet mundësia që të krijojë fraksione brenda partisë. Sipas Hoxhës, PD-ja është në krizë dhe kjo zgjidhet vetëm me votë.

Jo, nuk e nxjerrim nga zyra, Basha është pjesë e PD-së, po nuk do të jetë më kryetar, do t’i japim mundësinë të krijojë dhe fraksione në PD dhe të bindë demokratët. Nuk është betejë zyrash, por për mbijetesën e opozitës shqiptare. Basha është i marrë peng nga Soros-Rama dhe çështja me drejtësinë amerikane. Data 11 do të rinisë opozitën më të fuqishme me platformë. Ne nuk po ndajmë demokratët, por duam t’i bashkojmë. Sot, PD-ja ka krizë dhe këtë e zgjidh vetëm vota”.

Hoxha thekson se do të donte që Berisha të rikthehej në krye të PD, por thotë se ai do të zgjidhet me votën e anëtarësisë, ndërsa shton se janë disa emra në garë.

Nuk është betejë personale e zotit Berisha. Basha bëri pazar të pastër politik për të mbajtur Ramën në pushtet dhe Foltorja ka shqetësuar jo Bashën, por Ramën. Rama në këto 8 vite nuk e ka provuar opozitën e vërtetë. Se kush do të jetë kryetari i ri, e zgjedh anëtarësia. Unë do të doja të ishte Berisha, por unë vetëm një votë kam. Janë disa emra në garë si Kadilli, Kulluri. Statuti nuk e pengon Berishën të kthehet në krye të PD-së. Pas datës 11, do të kemi edhe një veprim”, u shpreh ai, por pa e specifikuar se cili do të jetë ai.

You may also like