ROMË, 5 shtator /ATSH-DPA/- Papa Françesku bëri thirrje sot për solidaritet kundër ekstremizmit fetar gjatë vizitës së tij në Indonezi, vendi më i populluar mysliman në botë.
Kreu 87-vjeçar i Kishës Katolike theksoi rëndësinë e unitetit për të “mposhtur kulturën e dhunës dhe indiferencës”, gjatë vizitës së tij në xhaminë Istiqlal, më e madhja në Azinë Juglindore.
Papa Françesku u takua me imamin e madh Nasaruddin Umar dhe nënshkroi një deklaratë të përbashkët e cila nënvizon vlerat e përbashkëta midis feve të ndryshme për të promovuar pajtimin dhe paqen.
Ai dhe imami i madh qëndruan në hyrje të “Tunelit të Miqësisë”, një nënkalim që lidh kompleksin e xhamisë me katedralen fqinje katolike, Zoja e Supozimit.
“Ishte një “shenjë elokuente”, pasi të dy vendet jo vetëm përballeshin me njëri-tjetrin, por ishin të lidhura, duke lejuar “takim, dialog … një përvojë të vërtetë vëllazërimi”, tha papa Françesku.
Papa Françesku mbërriti në Indonezi të martën, duke nisur udhëtimin më të gjatë jashtë vendit të mandatit të tij deri më tani, për ta vazhduar atë në katër vende në Azinë Juglindore dhe Oqean gjatë 12 ditëve të ardhshme.
Me më shumë se 240 milionë banorë, Indonezia është vendi më i populluar mysliman në botë.
Të premten, ai do të vazhdojë udhëtimin e tij për në Papua Guinenë e Re, përpara se të vizitojë Timorin Lindor dhe Singaporin. //a.i/