Incidenti me Londrën nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri grek thotë se incidenti është reklamë pozitive për kauzën e Athinës për skulpturat

Përplasja diplomatike mes Londrës dhe Athinës për skulpturat e Partenonit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet afatgjata mes dy vendeve.

Kështu deklaroi kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis gjatë takimit me Presidenten greke Katerina Sakellaropoulou ku komentoi lidhur me zhvillimet e fundit.

“Dje u ktheva nga Londra. Vetëm dy fjalë për  incidentin fatkeq të anulimit të takimit tim të planifikuar me homologun tim britanik. Besoj se kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet greko-britanike në plan afatgjatë, të cilat tashmë janë marrëdhënie që kanë një histori të thellë, domethënëse. Dhe së dyti, anulimi i këtij takimi kishte një anë pozitive, në atë që kërkesa  jonë e drejtë për ribashkimin e skulpturave mori publicitet edhe më të madh, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në opinionin publik botëror”.

Ndërsa presidentja e vendit shprehu besimin në gjetjen e një zgjidhje me kalimin e kohës.

 “Të gjithë kemi ndjekur zhvillimet në Londër, ajo që më duket e rëndësishme është se, Partenoni është një simbol jo vetëm i periudhës klasike, por është gjithashtu i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore globale, si simbol i demokracisë dhe filozofisë. Kështu ribashkimi i mermerëve, që është një kërkesë e vendit tonë që daton ndoshta qysh në krijimin e shtetit, por sigurisht vitet e fundit ka ecur përpara, ka gjetur njohje dhe mirëkuptim nga opinioni publik, publiku ndërkombëtar. Opinioni publik britanik, dhe ky mund të jetë përfitimi madh, sepse ka disa çështje që nuk zgjidhen automatikisht, kanë nevojë për kohën e tyre. Duke pasur parasysh këtë, ne mund të shpresojmë që kërkesa e drejtë e vendit tonë të gjejë përgjigje shpejt.”

Edhe për ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis ribashkimi i skulpturave të Partenonit është një kërkesë e drejtë dhe historike.

“Ribashkimi i skulpturave të Partenonit është një pretendim që bazohet jo vetëm në histori dhe në drejtësi, por është edhe një pretendim i vlerave kulturore. Pavarësisht nga kjo, unë e kuptoj ne duhet të punojmë në marrëdhëniet tona dypalëshe me Mbretërinë e Bashkuar dhe ne do të punojnë në të ardhmen për të arritur këtë qëllim për të thelluar këtë histori të gjatë që të dyja kombet kanë.”

Sunak anuloi takimin të martën me Mitsotakis pasi të dyja palët kishin rënë dakord më parë se ai nuk do të ngrinte çështjen e skulpturave në takimin e tyre.

Kryeministri Mitsotakis shprehu pakënaqësinë në një intervistë me BBC-në të dielën se bisedimet mbi një kthim të mundshëm të skulpturave në Athinë nuk po përparonin aq shpejt sa ç’duhej dhe kjo zemëroi liderin britanik.

Klan News

You may also like