Inaugurohet stadiumi i ri i Vorës, Duka: Fryt i bashkëpunimit fantastik me FSHF, së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha

by admin
Spread the love

Nga sot Vora ka një stadium modern e bashkëkohor i ndërtuar falë një bashkëpunimi mjaft të mirë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë së Vorës. Një impiant që ofron kushte moderne e që është bërë realitet në një kohë mjaft të shpejtë falë një investimi madhor që pritet t’i japë një nxitje zhvillimit të futbollit në këtë qytet.

Stadiumi u inaugurua sot përmes një ceremonie festive, që u zhvillua pak para ndeshjes inauguruese të Kategorisë së Dytë midis KF Vorës dhe Valbonës e ku ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, personalitete të shumta të futbollit dhe jetës publike si edhe qindra tifozë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e mbajtur gjatë këtij eventi shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm që e ka futur tashmë Vorën në hartën e futbollit kualitativ. Kreu i qeverisë së futbollit vlerësoi bashkëpunimin me Baskinë Vorë dhe donatorët e klubit në këtë rast, teka theksoi se kur bëhemi të gjithë bashkë mund të bëhen gjëra të mëdha.

“Jam vërtetë i kënaqur që sot jam në këtë impiant të ri që realisht duket i pabesueshëm që mund të ishte në Vorë. Kam parë fotot e ndeshjeve të zhvilluara në këtë stadium shumë pak vite më parë dhe për fat të keq ishte një moçalishte e tërë. Më në fund Vora është futur në hartën e futbollit kualitativ dhe për këtë jam vërtetë shumë i kënaqur që jam sot këtu mes gjithë këtyre mbështetësve të futbollit, – tha Presidenti Duka.

Ky projekt është një bashkëpunim fantastik, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me Bashkinë e Vorës, me donatorë të tjerë, drejtuesit e klubit të Vorës, të cilët ishin iniciatorë të këtij projekti. Është një shembull i mirë që tregon se nëse bëhemi bashkë mund të bëjmë shumë gjëra të mira. Infrastruktura është prioritet tashmë i FSHF-së, por asnjëherë Federata e vetme nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Patjetër që duhet bashkëpunim e mbështetje nga të gjithë”, – u shpreh Presidenti i FSHF-së.

You may also like