Impiante moderne dhe gjithmonë të hapur! Në Madrid i kthejnë stadiumet në makina parash!

by admin
Spread the love

Të përdorësh stadiumin çdo ditë, dhe jo vetëm ndonjëherë kur luhet. Është kjo ideja e Atletikos dhe Realit të Madridit.

Los Colchoneros janë një hap përpara, pasi kanë shfrytëzuar ndryshimin nga simboliku Vicente Calderon te moderni Civitas Metropolitano për të lënë mënjanë ndjenjat dhe për të mundësuar të ardhura më të mëdha. Calderon u shemb dhe nën rrënoja mbetën kujtime dhe atmosfera e nje impianti unik. Por për t’u përballur me realitetin e ri të klubeve të elitës, Atletiko kishte nevojë për më shumë hapësirë, dhe jo vetëm për kapacitetin e spektatorëve. Kjo pasi në planet e drejtuesve bardhekuq, zëri i të ardhurave për ditën e ndeshjes, duhej shumëfishuar me një përdorim thuajse të përditshëm të stadiumit.

300 EVENTE

Në një vit impianti futbollistik përdoret nga skuadra e shtëpisë, maksimumi për 30 ditë , as 10% të kalendarit. Shumë pak për kostot jo vetëm të stadiumit, por edhe të vetë klubit. Një vit më parë Fernando Fariza, drejtor i shfrytëzimit të stadiumit të Atletikos, i deklaroi agjensisë spanjolle të lajmeve EFE, se 15 % e të ardhurave të stadiumit vinin nga aktivitete jashtë futbollit. Dhe këto shifra i referoheshin një viti të kushtëzuar fort nga pandemia. Të Atletiko llogarisin që të presin në stadiumin e tyre 250-300 evente në vit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për koncerte, që mund të organizoheshin edhe në stadiumin e vjetër, por edhe për panaire, evente prej nga 10 deri në 5000 personash, shfaqje, konference, festa të mëdha e luksoze. Të gjitha këto përtej zonës së restoranteve.

BERNABEU GALAKTIK

Tani mendoni një model të tillë të shumëfishuar disa herë për të imagjinuar Bernabeun. Kjo pasi Presidenti Florentino Perez duke menduar Bernabeun e ri ka shkuar shumë më tej. Stadiumi i Realit, kur të mbarojë në 2023, do të ketë dy gjëra sensacionale më shumë në krahasim me atë të Atletikos. Çatinë dhe fushën e zëvendësueshme, përveçse një kapaciteti më të madh. Aty do të kenë mundësi të mbulojnë impiantin, duke e zhdukur fushën e futbollit për ta zëvendësuar me terrene të tjera, duke e ndarë në segmente në një lloj sere shumë moderne. Këta faktorë do t’i lejojnë klubit të risjellë jo vetëm koncerte në Bernabeu, por të organizojë aty turne tenisi, ndeshje basketbolli e flitet madje edhe ndeshje futbolli amerikan.

360 MILIONË

Perez i ka shitur tanimë, për 360 milionë euro, 30% të të ardhurave vjetore të Bernabeut të ri për 20 vjet, fondit Sixth Street, që konrrollon 51% të Legends, shoqëri e krijuar nga NY Yankees dhe Dallas Cowboys, për të operuar në botën e biznesit të argëtimit. Për momentin është e vështirë të bësh parashikime, por në Madrid llogarisin të fitojnë nga stadiumi nga eventet ekstra-futbollistike një shifër mes 350 deri në 400 milionë euro në vit. Edhe pa 30%-shin e marë nga Sixth Street, bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme. Pastaj është dhe zona komerciale, kjo pasi nëse Metropolitano i Atletikos është në periferi, Bernabeu është në qendër të Madridit.

Qendra tregtare do të sjellë dhjetëra miliona euro, ashtu si dhe restorantet që në fillim ishin tre dhe tani do të shumëfishohen, si dhe dyqanet zyrtare të klubit. “Një klub i madh ka nevojë ta përdorë stadiumin të gjitha ditët e vitit”, – përsërit shpesh Florentino, që shpreson të kalojë kufirin e 300 ditëve, duke shumëfishuar me 10 përdorimin aktual. Stadiumi në ditët e sotme nuk është më thjesht një stadium, duhet të jetë një makinë parash.


Top Channel

You may also like