Ilir Meta sulmon SPAK dhe reformën në drejtësi, paralajmëron se do nxjerrë të tjera denoncime ndaj Ramës, kërcënon me destabilizim në shtator

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duket se është vënë nën alarm pas hetimeve që Prokuroia Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur kundrejt tij, ndërsa ka sulmuar dje ashpër në media dhe rrjetet sociale, kryeministrin Edi Rama, SPAK dhe reformën në drejtësi. Në një status në “Facebook”, Meta theksoi se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që e ka marrë nën hetim, është vënë në shërbim të Partisë Socialiste, ndërsa tregoi muskujt kur tha se ai nuk ka frikë nga askush dhe asgjë. “Përpjekjet e dëshpëruara për të keqpërdorur “krijesat” e Partisë në drejtësi për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me “hetime” qesharake ndaj drejtuesve të opozitës tregojnë vetëm përpëlitjet e fundit të regjimit kriminal për të shtyrë me ditë dhe javë llogaridhënien e tij të pashmangshme. Krijesat e Partisë që marrin urdhra në Kongresin e partisë-shtet veç forcojnë bindjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm se janë një seksion i Rilindjes dhe përgjegjëse po sa ajo për korrupsionin galopant dhe lidhjet e krimit me politikën. Monopolin e Drejtësisë e ka vetëm Populli i Shqipërisë dhe ai do të jetë Gjykatësi më i drejtë shumë shpejt”, shkruan Meta.

Meta paralajmëron të tjera denoncime ndaj Ramës

Më tej gjatë një interviste televizive, ish-presidenti Ilir Meta theksoi se nuk trembet nga e vërteta, ndërsa shtoi se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit se le të merret me bedelat, ndërsa ka paralajmëruar publikimin e dokumenteve që implikojnë kryeministrin Edi Rama në korrupsion. “Po më habit dhe çudit, do të trembem unë, nga do të trembet unë nga e vërteta. Ilir Meta kur firmos mendohet shumë dhe është dëborë e bardhë. Ua kam lënë të gjitha, mjerimi i tyre është i tmerrshme mali i fakteve në shtator e kalon tavanin e SPAK. Le të merren me bedelat. E bëri bedel një ish-ministër të Brendshëm, por shkoi në nivele të larta. Tani shihni çfarë probleme i kemi krijuar Europës me këtë qeveri. Edhe për aferën e inceneratorëve është ai që ka urdhëruar Agaçin. Janë kryer me vendime të paligjshme. Ai paguan edhe sot për ata që janë në Vjenë. Rama edhe kur të takon diçka me ligj, nuk ka jep pa të marrë diçka dhe pa të mbajtur peng. Jo vetëm afera e inceneratorëve do të vijojë, por i gjithë revolucioni antikorrupsion. Edhe afera e Portit të Durrësit do marrë vëmendje. Do të ketë hetime për mos-hetimet e kryera. Afera të reja priten në shtator të dalin në sipërfaqe. Nuk kemi pritur thjesht shtatorin. në 26 prill në mëngjes ish-zëdhënësi im ka bërë një mesazh që mbaron mandati dhe kthehem në politikë. Ju keni raportuar edhe shkarkime”, deklaroi ai.

Kreu i PL paralajmëron për destabilizim në shtator

Ndërkohë, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zbuluar edhe anën tjetër të tij, që ai është i fort duke e krahasuar veten me shqiponjë dhe luan. “Sorrat do provojnë fatin e tyre, me shqiponjat s’bëhet shaka! Me mua dhe Berishën nuk bëhet shaka, ne jemi shqiponja o sorra. Revolucioni antikorrupsion i pandalshëm”, u shpreh ai. Po ashtu, Meta ka paralajmëruar se në shtator do të ketë një angazhim total të opozitës për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Meta deklaroi se mesazhet janë dhënë te qytetarët për rikthimin e demokracisë te ta. Po ashtu ai shtoi se Rama do të largohet njësoj siç u largua Sllobodan Millosheviç në Serbi. “Në shtator do të presim një angazhim të plotë të opozitës. Partia e Lirisë që nga 25 korriku është me kapacitet të plotë. Shqipëria ka nevojë shumë nga opozita e vërtetë për të rritur besimin, seriozitetin e saj për përkushtimin drejt një ndryshimi, përmbysjes së këtij sistemi të kalbur. Mesazhet janë dhënë të qarta në rikthimin e demokracisë dhe kthimin e fuqisë së qytetarëve. Ne jemi këtu për ti dhënë atë dimension të munguar opozitarizmit në vend dhe ne jemi për ti dhënë fuqinë e vërtetë popullit të Shqipërisë dhe jemi këtu për të udhëhequr në ndryshim që do ti japë fund personalizimit të pushtetit dhe kapjes nga një klikë e ngushtë, jo vetëm sot, por përgjithmonë. Në bashkëpunim me popullin, i cili është i vetëdijshëm që nuk ka pasur. Ramovici e di që nuk ka legjitimitet, prandaj bën edhe marrëzira të tilla. Ai do të rrëzohet si e meriton. Me vendosmëri për ti kthyer legjitimitetin popullit shqiptar dhe institucioneve tona. Si iku Millosheviçi, pavarësisht se këtu kemi të bëjmë me një rast më të thjeshtë”, nënvizoi Meta.

You may also like