Ibrahimi komenton kritikat e Asociacionit, flet për “nipat e Gligorovit” në partitë shqiptare

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në një shkrim autorial për Revistën Shenja ka sqaruar idenë e tij për Asociacionin e Komunave Shqiptare.

Ibrahimi thotë se kjo ide ka tri lexime: me kërkesën për Asociacion demaskohet palogjikshmëria e kërkesës serbe për Asociacion në Kosovë dhe i jepet argument Kosovës në bisedime; i dërgohet mesazh partive maqedonase se shqiptarët po e humbin besimin për partneritet me ta; shtyhet më tej agjenda për decentralizim fiskal dhe mirëqenie në komunat shqiptare.

Ndërsa, duke iu përgjigjur kritikave kundër Asociacionit, Ibrahimi tha se shumë prej shqiptarëve u rreshtuan në vijën e njëjtë të interpretimeve serbe të mediave të Vuçiqit.

“Java që shkoi kaloi nën debatin e ngritur për temën e Asociacionit të Komunave Shqiptare. Që nga komentet infantile (“pse na barazoni me serbët që janë 4%”), te ato patetike të BDI-së (“Marrëveshja e Ohrit e ka mbyll kornizën e të drejtave etnike”), ato frustruese të ASH-së (“ju përzunë nga qeveria dhe jeni idhnu”), e deri te ato në panik të LSDM-së, VMRO-së e të Levicës (“u zgjua radikalizmi shqiptar”), përfshirë edhe ndonjë deputet parashutist shqiptar, që injorancën e vetëbesimin e ka në proporcion të drejtë, vërtet pati pak kthejlltësi për ta menduar këtë temë”, shkruan Ibrahimi.

Ndërsa kritikat për kohën kur është hapur kjo temë, Ibrahimi thotë se ngjasojnë me kohën e “gligorovistëve shqiptarë” që përdornin argumente të ngjashme.

“Kjo ma kujtoi kohën e fillimit të viteve të ’90-ta kur disa mendjendritur në Partinë e Prosperitetit Demokratik, që e panë se me Gligorovin nuk mund të hapnin asnjë paralele shqipe e le të bëjnë diçka më shumë, andaj e ngritën idenë e autonomisë shqiptare, aty ishin gligorovistët shqiptarë që “të argumentonin” se “pse bash tash e kërkoni këtë kur sapo jemi në rrugë të mbarë të hapim edhe një paralele shqipe në Shkup?” e deri te deklaratat e ish zyrtarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, që brenda natës u bënë “demokratë të prosperuar”, se “është anakronike të kërkojmë autonomi, sepse ne duhet të jemi shtetformues”. Për fat të keq, nipat e Gligovorit edhe sot vazhdojnë t’ua shkruajnë kumtesat partive politike shqiptare, madje edhe disa shkrimtarëve e opinionistëve të tjerë”, thotë Ibrahimi.

You may also like