Ibrahimaj, pas 200 000 pushuesve që i morëm Greqisë: Mos shikoni çfarë flitet lartë e poshtë, turizmi po rimëkëmb ekonominë shqiptare

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka publikuar disa të dhëna statistikore në lidhje me sektorin e turizmit duke e cilësuar ate si një ndër kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike të vendit gjatë këtij viti.

Ibrahimaj thekson se biznesi pati një rritje me 23% gjatë periudhës maj-qershjor 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që kërkon nga qytetarët të mos shikojnë çfarë raportojnë mediat mbi problematikat që ka patur turizmi këtë vit.

“Këto shifra dhe jo perceptimet që përshfaqen lart e poshtë këto ditë, tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”, shkruan Ibrahimaj në Facebook.

Gjatë javëve të fundit mediat kanë publikuar aspekte pozitive të turizmit në Shqipëri, por edhe problematika siç është mungesa e sigurisë që çoi në vrasjen e 7-vjeçares në Himarë, çmimet e larta të karburanteve që pengojnë lëvizjen e pushuesve vendas drejt bregut, por edhe faturat e kripura me të cilat përballen ata pak pushues që arrijnë deri në breg, ndërkohë që shërbimi lë për të dëshiruar.

Më herët, ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro tha se rreth 200 000 vizitorë kishin braktisur Greqinë për të ardhur në Shqipëri gjatë muajve të verës.

Ndërkohë, sipas Rrahman Kasës, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar.

“Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit, të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”.

Ai thotë se Bregdeti Durrës- Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%.

Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%.

Bregdeti i Sarandes është mbi 70%; Bregdeti i Vlores 75-80%

Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%.

Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70-75%.

You may also like