I vodhën shtëpinë, sulmuesi i klubit shqiptar: Nuk ka të bëjë se jam serb

by admin
Spread the love

Pak ditë më parë, mesfushorit të Kukësit, Luka Milunoviq, hajdutët i hynë në shtëpi dhe ia bastisën atë, duke marrë paratë dhe disa gjëra me vlerë që kishte në banesë.

Ishte vetë futbollisti që e bëri të ditur këtë fakt në një reagim të tij në rrjetet sociale, një ngjarje e cila ndodhi mesditën e së premtes, në kohën kur 28- vjeçari ishte duke kryer stërvitjen me ekipin e tij.

“Panorama Sport” kontaktoi me lojtarin në lidhje me këtë ngjarje, i cili, sigurisht ishte i tronditur, por nga njëra anë i lehtësuar që në banesë nuk ishte asnjë nga familjarët e tij. Serbi ka besim se policia do ta zbardhë ngjarjen, edhe për shkak se zona është e mbuluar me kamera.

Sakaq, ai tregohet i kujdesshëm, duke mos e lidhur këtë ngjarje me nacionalitetin e tij, serb, ndonëse duhet theksuar se në vendin tonë nuk ekzistojnë probleme të kësaj natyre.

“Pavarësisht kësaj ngjarjeje, unë do të vazhdoj jetën normale, por këtë që ndodhi nuk do ta harroj kurrë”, shprehet ndër të tjera 28- vjeçari.

Luka, na tregoni çfarë ndodhi pak ditë më parë?

Besoj se jeni njohur me ngjarjen, ku edhe e kam bërë të ditur më herët. Ata (hajdutët) hynë në shtëpi dhe thyen gjërat. Më morën paratë dhe disa sende të rëndësishme personale.

Gjatë kësaj periudhe që jetoni në Shqipëri, a jeni ndier ndonjëherë i kërcënuar?

Jo, jo. Nuk kam pasur asnjëherë probleme. Që kur kam ardhur këtu në verën e kaluar dhe deri më tani, ky ishte rasti i parë

A e keni denoncuar në polici ngjarjen dhe çfarë ju kanë thënë deri tani? A kanë rënë në gjurmët e autorëve?

Në lidhje me policinë, shpresojmë se ata do të bëjnë gjithçka që munden për të gjetur se kush ma bëri këtë. Ekziston mundësia e madhe të zbulohen, sepse rreth zonës ku ndodhi kjo ka shumë kamera sigurie, kështu që të paktën mund t’i kontrollojnë të gjitha.

Sa i madh është dëmi financiar që ju kanë shkaktuar grabitësit?

Nuk dua të flas për dëmin material. Jam i lumtur që askush nuk ishte në shtëpi në atë moment kur hynë brenda. Për mua problemi më i madh është ndryshimi i shtëpisë, zhvendosja dhe deri atëherë qëndrimi në hotel, pa familjen time.

A ndiheni më të kërcënuar pas këtij rasti dhe a keni kërkuar ndonjë masë shtesë për veten dhe familjen tuaj?

Unë do të vazhdoj me mënyrën time normale të jetesës këtu, por me siguri nuk do ta harroj kurrë këtë. Ishte hera e parë dhe shpresoj që të jetë fundit. Familja u largua në Beograd pas ngjarjes, por do të rikthehen në Shqipëri

Si reagoi familja dhe miqtë tuaj në Serbi kur mësuan për ngjarjen?

Sigurisht që u shkaktoi shumë shqetësim miqve dhe familjes sime në Beograd kur ata dëgjuan për këtë. Por, ndonjëherë ndodhin gjëra të këqija dhe duhet të dimë për të kapërcyer problemet si ky apo ndonjë tjetër.

A e lidhni ngjarjen me kombësinë tuaj serbe apo mendoni se nuk ka lidhje me të dhe është thjesht një grabitje?

Shpresoj dhe besoj se nuk është kjo arsyeja pse hajdutët ma bënë këtë. Ndoshta ishte thjesht një apartament “i rastësishëm” ku ata vendosën të hynin, asgjë më shumë. Është vetëm një moment i keq për mua. Nuk di çfarë të them më shumë. Siç e thashë, klubi më pagoi një hotel tani për tani dhe jemi duke kërkuar për një shtëpi më të sigurt.

You may also like