I quajti llum, Bujar Nishanit nuk i del inati me Bashën: Demokratë mos bini pre e provokimeve

by admin
Spread the love

Një ditë pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha, ku u shpreh se në qeverisjen e PD-së, ka pasur llum, ka ardhur dhe reagimi i ish-Presidentit Bujar Nishani.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Nishani u bën thirrje demokratëve që të mos bien pre e asnjë provokimi dhe provokatori, dhe të mos konsumojnë energji me keqdashës dhe të paguar me paratë e llumit të hajnisë dhe drogës.

Ai shton se misioni i demokratëve sot është vetëm në interes të shpëtimit të PD.

Postimi i plotë:

“Partia Demokratike ka hyrë në një lëvizje dhe proces rizgjimi dhe shprese.

Ky proces i vonuar por më i prituri është energji, vlerë, dinjitet e vullnet i qindra mijëra njerëzve të lirë që s’ka bir nëne që i merr peng.

I ftoj të gjithë demokratët, patriotët e ndershëm të këtij vendi, ata që as nuk shiten e as nuk blihen, të mos bien pre e asnjë provokimi dhe provokatori, të mos konsumojnë energji me keqdashës dhe të paguar me paratë e llumit të hajnisë dhe drogës.

Misioni i demokratëve sot është vetëm në interes të shpëtimit të PD nga rrjeta e zezë e merimangës ku e liga tenton me çdo forcë e me këdo të mundet, ta mbaj të lidhur peng.

E nesërmja e një PD-je, të lirë, të bashkuar, qytetare, moderne, e vitalizuar, do të jetë shërbimi më i mirë për Shqipërinë dhe Interesin Kombëtar.

Ajo parti ka mjaft eksperienca se si lihet pas e keqja, se si rezistohet, se si ringrihesh, se si fiton.

Edhe një betejë tjetër me të ligën nuk është aspak keq, veçse shton peshën e historisë dhe eksperiencës”, ka shkruar Nishani.

You may also like