Synon të konkurrojë Tesla
Hyundai Motor Co prezantoi sot sedanin e parë elektrik, Ioniq 6, për të cilin shtëpia automobilistike koreanojugore vë bast se do të rrëmbejë një pjesë më të madhe të tregut të automjeteve elektrike (EV) duke dominuar modelet Tesla INC.
Ioniq 6 është një nga më shumë se 31 modelet elektrike që Hyundai Motor Group, që përfshin Hyundai Motor, Kia Corp dhe markën Premium Genesis – synon të prodhojë brenda vitit 2030 për të siguruar një pjesë të parashikuar prej 12% në tregun botëror të automjeteve elektrike.
Sedani i Hyundai do ta zgjerojë gamën e vet të automjeteve elektrike përtej crossover dhe SUV aktualë për të konkurruar kokë më kohë me Model 3, automjeti elektrik më i shitur i Tesla.
Nga janari në maj të këtij viti, Hyundai dhe Kia ishin prodhuesit e dytë të automjeteve elektrike në nivel botëror, duke përjashtuar Kinën, me një pjesë tregu të përbashkët prej 13,5%, vetëm pas Tesla, me 22%, sipas institutit të kërkimit SNE Research.
Ioniq 6 do të kushtojë mes 55 deri në 65 milionë won (41.949,51 dollarë) për tregun koreanojugor. “Ioniq 6 do të jetë në gjendje të konkurrojë me Tesla në sektorin e sedanëve EV, duke marrë në konsideratë çmimin konkurrues dhe autonominë e gjatë” – deklaroi Lee Jae-il, analist në Eugene Investment & Securities.
Ioniq 6 mund të përfitojë nga çmimi i saj në tregun e sedanëve EV, pasi Tesla ka rritur çmimet disa herë, – shtoi analisti. Sedani elektrik Hyundai do të ketë autonomi në drejtim rreth 610 kilometra (380 milje), rreth 30% më shumë krahasuar me Ioniq 5, deklaroi Hyundai.
“Ne po përdorim të njëjtën formulë të qelizave (të baterive), por … kemi rritur sasinë e baterive për çdo paketë, duke përmirësuar ndjeshëm densitetin e energjisë”, – tha Kim Yong Wha, zëvendëspresident ekzekutiv në Hyundai.
Ioniq 6 do të jetë i disponueshëm në dy variante baterish – 53 kilowatt/ora (kwh) e 77,4 kWh dhe do të nisë prodhimin në fabrikën e Asan, në Korenë e Jugut, brenda fundit të vitit – deklaroi Hyundai.
Ioniq 6 do të jetë e disponueshme këtë vit në Korenë e Jugut, kurse dalja në tregun amerikan parashikohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
/ Reuters
Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.