Hyland: Kombinimi Dole- Clinton, përfshirë edhe Xhemën, çoi në Pavarësimin e Kosovës (VIDEO)

by admin
Spread the love

Ish-zëvendësdrejtori politik kombëtar i fushatës së parë të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, Christopher Hyland, ka thënë se Bill Clinton nuk ka ditur shumë për çështjen e Kosovës në kohën kur po garonte për president të ShBA-së.

Ai, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën, thotë se senatori Bob Dole ka luajtur një rol të rëndësishëm për këtë dhe pavarësimin e Kosovës, ashtu si edhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Amerikë në atë kohë, Xhim Xhema.

“Së pari, për të qenë shumë i sinqertë me ju, pak njerëz në Amerikë dhe në fushatë ishin në dijeni për nevojat që kishte Kosova, çështjet e Shqipërisë apo edhe të Ballkanit. Pak kishte të atillë që dinin për situatën atje dhe kështu kishte rezervë, por pak nga pak gjërat ndryshuan dhe u bë progres. Njëri prej njerëzve që për mua luajti rol kyç këtu kishte senatori [Bob] Dole. Pra kombinimi Dole-Clinton dhe të tjerët, përfshirë edhe mua dhe Xhim Xhemën, çoi në çlirim dhe pavarësim”.

Hyland tha se i ka kërkuar Bill Clintonit ta njohë Pavarësinë e Kosovës, duke e paralajmëruar se do të ndodhë një luftë e tmerrshme në këtë vend.

“Po, ia thashë… pra thuajse të gjithë fushatën ia dedikoi kësaj çështjeje pas fjalimit të tij të dytë në Atlanta dhe në kohën kur po garonte kundër Bushit, gjë që ky nuk ishte i përkushtuar që të njihte shtete të dala nga ish-sistemi jugosllav. Dhe unë i thashë që do të ketë luftime të tmerrshme në Kosovë dhe këtë ia shkrova si një memorandum që pas disa vitesh ndodhi edhe lufta me të vërtetë. Dhe kështu presidenti në mënyre brilante doli në mbrojtje të Kosovës”.

Hyland rrëfen se në kohën kur kishte nisur lufta në Kosovë nuk ka biseduar me presidentin Bill Clinton, sepse puna e tij ishte në terren.

“Puna ime me komunitetin e kosovarëve dhe të shqiptarëve ka qenë puna në terren. Unë e sillja brenda komunitetin, siguroja kontaktet dhe në librin e presidentit Bill Clinton të quajtur “Jeta ime” ai thotë se ajo çfarë bëri Christopher Hyland është se i ndihmoi atij që të zgjidhet president dhe ajo çfarë bëri ai është që të gjitha kontaktet e liderëve kosovarë ua dha të tjerëve që ata të kishin zërin e tyre”.

Por, cila është lidhja e Christopher Hyland, që insistoi kaq shumë për Pavarësinë e Kosovës, me shqiptarët në Amerikë?

“Si fëmijë kam qenë i njoftuar me historinë e shqiptarëve dhe kam një gjysh prej Barit, pra është kjo lidhja ndërmjet Barit dhe Kosovës”.

Njëri nga drejtuesit e fushatës së Bill Clintonit për president thotë se marrëdhëniet Kosovë-Amerikë janë shumë të forta dhe kështu do të jenë gjithmonë. Madje, ai ndjehet sikur Kosova është shteti i 51-të i Amerikës.

Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, e dekoroi Christopher Hylandin me “Urdhrin Dr. Ibrahim Rugova”.

Lexo lajme interesante

You may also like