Hovenier: Arritjet e Kosovës gjatë 13 viteve të fundit janë të jashtëzakonshme, por ka ende punë të papërfunduara

by admin
Spread the love

Ambasada e ShBA-së në Kosovë e ka publikuar në ueb-faqen e saj letrën e ambasadorit të ri në Kosovë, Jeff Hovenier, ku ai shpalos informata rreth jetës dhe karrierës së tij, por edhe për premtimet e tij për Kosovën.

“Jam i përulur nga besimi që presidenti Bajden dhe sekretari Blinken ma kanë dhënë për të udhëhequr misionin e SHBA-së në Kosovë për të vazhduar punën e tij të rëndësishme në forcimin e lidhjeve tashmë të forta ndërmjet dy vendeve tona”, shkruan Hovenier.

“Kosova dhe historia e saj nuk janë të panjohura për mua. Gjatë dekadave të fundit, së bashku me kolegët e mi, kam pasur nderin që në funksione të ndryshme të përfaqësoj interesat e SHBA-së në mbrojtjen e popullit të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Në shumë mënyra, unë mishëroj përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë dekadave ndaj juve dhe vendit tuaj”.

Ai po ashtu ka zbuluar se ka qenë pjesë dy proceseve të rëndësishme për Kosovën, atë të Rambujesë dhe të negociatave për status.

“Në vitin 1999, përderisa po punoja në misionin e SHBA-së në OSBE, shërbeva si pjesëtar i delegacionit amerikan në procesin e Rambujesë”.

“Gjithashtu, në vitin 2006, kam qenë në ekipin e OKB-së, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Marti Ahtisari, që ishte përgjegjës për negociatat për status”.

“Më vonë gjatë karrierës sime, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, kam punuar në politikat e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë ato për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

Hovenier i quajti mrekulli arritjet e Kosovës në këto 13 vjet, si dhe i shpalosi premtimet rreth përmirësimit dhe progresit të mëtutjeshëm kosovar.

“Edhe pse jam krenar për rolin që e kam luajtur në mbështetjen e popullit të Kosovës, jam edhe më i ngazëllyer se çka mund të arrijmë së bashku për të ardhmen e Kosovës”.

“Arritjet e Kosovës gjatë 13 viteve të fundit janë të jashtëzakonshme – një demokraci e gjallë, një ekonomi e aftë dhe udhëheqje që Kosova projekton përtej kufijve të saj. Megjithatë, ka ende punë të papërfunduara”.

“Ja premtimi im para jush: duke punuar me udhëheqësit qeveritarë, aktivistët e shoqërisë civile dhe gjithë popullin e Kosovës, ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të avokojmë për interesat dhe vizionin tonë të përbashkët: një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, me marrëdhënie të përmirësuara, të normalizuara me fqinjët e saj; një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efikase që ofrojnë shërbime, ndajnë drejtësi, i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve; dhe një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime, mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ”.

You may also like