Hoti: Politikanët që përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit Albin Kurti për rrezik të luftës në rajon është bërë me qëllimin “për të mbuluar dështimin në qeverisje”.

Megjithatë, sipas deputetit të LDK-së, asnjë Qeveri në rajon nuk mundet dhe s’guxon të mendojë të nisë luftë.

“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s”, ka shkruar Hoti të shtunën në Facebook.

Sipas Hotit, “e gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik”.

“Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese. Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale”, ka përfunduar Hoti.

You may also like