“Hortikultura” i kositi keq hapësirat e gjelbra në “Breg të Diellit” (VIDEO)

by admin
Spread the love

Kati i parë i banesave në lagjen “Bregu i Diellit” në kryeqytet me vështirësi dallohet.

Atje mirëmbajtja e duhur e hapësirave të gjelbra nga ndërmarrja “Hortikultura” u bë vetëm përreth rrugës kryesore, ndonëse banorët ankohen se as aty bari s’u kosit mirë.

Gjendje e ngjashme është edhe në lagjen Kolovica, raporton “Ju Flet Prishtina”.

Koordinatori në ndërmarrjen “Hortikultura”, Muhamet Ajeti e pranon se bari u pre keq, sepse pajisjet ishin të paservisuara dhe nuk funksiononin mirë.

Derisa sipas tij mirëmbajtja e kositëseve u shty për shkak se u vonuan pagesat nga komuna.

“Për shkak të servisimit në mekanizëm kemi pas vonesë, edhe koha ka qenë… prilli… kur ka ra edhe borë e kemi pas edhe rrëzim të lisave, por kryesisht situata tash është nën kontroll, të gjitha ekipet janë në terren, kemi punu edhe të shtunave e të dielave. Në ‘Breg të Diellit’ ka qenë një vonesë, besoj që deri të dielën kryhet komplet kositja në të gjithë hapësirat publike”, u shpreh Ajeti.

Edhe ekspertët e mjedisit potencojnë se mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra sivjet ishte më e vështirë për shkak të motit.

“Sidomos me ndryshimet klimatike dhe ballafaqimin që po i afrohemi qershorit e hala jemi në kohën me reshje, si pranverë e zgjatur, mirëpo ajo që është edhe më e rëndësishme se mirëmbajtja është edhe shtimi i hapësirave të gjelbra”, u shpreh Egzona Shala, drejtore “EcoZ”.

Gjatë javës ishte parku i Tokbashqes ai që u mirëmbajt nga “Hortikultura”. /Klankosova.tv

You may also like