Historia e juristit nga Kosova që nuk po mund të gjejë punë në Friburg të Zvicrës

by admin
Spread the love

Samiri (emër fiktiv), 28-vjeçar, në Zvicër ka ardhur në janar të vitit 2017. Pas tre viteve në kolegj dhe pesë vjet studimi për drejtësi në Universitetin e Prishtinës, Kosovë, ai vendosi të emigrojë në Zvicër: “U largova nga vendlindja ime për punë. Për shkak të korrupsionit, aty është shumë e vështirë të futesh në gjykatë”.

Që nga ardhja e tij, ai ka kërkuar në mënyrë aktive që t’i nostrifikohet diploma për t`u punësuar në fushën e tij të ekspertizës. “Unë u përpoqa ta bëja një nostrifikim nëpër universitetet zvicerane, por ishte e ndërlikuar. Më kanë kthyer përfundimisht një dokument, i cili nuk është një diplomë, por një certifikatë e nivelit bachelor”.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta nëpër institucione të ndryshme, atij i vjen keq që nuk ka marrë këshilla se çfarë mund të bënte me këtë ekuivalencë dhe aftësitë e tij: “Shkova te një këshilltar udhëzues. Ai më tha se nuk merrej me gjera të tilla. E njëjta gjë në qytet dhe në të gjitha zyrat ku paraqita çështjen time. Jam i humbur, nuk di me kë të flas më”.

“I zemëruar, i zhgënjyer, i frustruar”

Audrey Molliet është studente në Shkollën e lartë për çështje sociale dhe punon në Caritas Friburg si punonjëse sociale në trajnim, shkruan gazeta “La Liberte”. Ajo shpjegon se ka pranuar emigrantë që kanë përfunduar arsimin e lartë në vendin e origjinës dhe që vuajnë nga mosnjohja e aftësive të tyre profesionale në Zvicër. “Kam parë ish-të diplomuar nëpër universitete që nuk kanë mundur t’u njihen diplomat. Ata ishin të zemëruar, të zhgënjyer dhe të frustruar. Është e vështirë të kesh një pozicion menaxherial në vendin tënd dhe të kesh ndjenjën se këtu, edhe për poste më pak të kualifikuara, nuk i duan”.

Ajo nënvizon dimensionin ndonjëherë arbitrar të braktisjes së punës: “Mënyra e paraqitjes, zotërimi i gjuhës apo integrimi shoqëror janë elementë vendimtarë. Por ka edhe shumë aspekte mbi të cilat individi nuk ka kontroll. Është pak fat të jesh në vendin e duhur në kohën e duhur”.

Ajo gjithashtu shpreh keqardhjen që jo gjithmonë di se ku t’i drejtojë punëkërkuesit: “Në Zvicër ka pak masa integruese përveç atyre që parashikon sigurimi i papunësisë. Për më tepër, është e vështirë të njihet arsimi i kryer jashtë vendit”.

Aftësi të ndryshme

Sot Samiri punon në një kompani instalimi uji: “Nuk më intereson fare puna që bëj. Nëse në Zvicër nuk mund të jem jurist apo gjykatës, do të doja të mund të punoja së paku si këshilltar, zyrtar tatimor apo edhe të punoj në administratën publike. Mund të bëja shumë gjëra më afër fushës sime të ekspertizës”, transmeton portali Shtegu.

Kjo vuajtje është e tillë që ndonjëherë mendon të heqë dorë: “Ndoshta një ditë do të kthehem në Kosovë. Unë nuk mund të punoj në ndërtimtari pasi kam studiuar gjithë këto vite në fushën time”, ankohet ai.

You may also like