HELSINKI – Takimi i parë i mekanizmit të përbashkët Turqi-Finlandë-Suedi

by admin
Spread the love

ANKARA, 26 gusht /ATSH-DPA/- Turqia, Finlanda dhe Suedia zhvilluan sot takimin e parë të mekanizmit të përbashkët të përhershëm, në Finlandë.

Më 28 qershor, palët nënshkruan një memorandum tripalësh në samitin e NATO-s në Madrid për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë, duke i hapur rrugën anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Delegacioni turk kryesohej nga zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, dhe zv/ministri i Jashtëm, Sedat Önal, dhe përfaqësues të ministrive të Jashtme, të Brendshme dhe të Drejtësisë, si dhe të shërbimeve të inteligjencës dhe institucioneve të sigurisë.

Delegacioni i Suedisë kryesohej nga sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Oscar Stenstrom, ndërsa delegacioni i Finlandës nga sekretarja e Përhershme e Shtetit për Ministrinë e Jashtme, Jukka Salovaara.

Në takim u përcaktuan parimet e punës së mekanizmit, u shqyrtuan zhvillimet në lidhje me zbatimin e zotimeve të marra në memorandumin tripalësh dhe u theksuan hapat konkretë që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme.

Finlanda dhe Suedia rikonfirmuan se do të tregojnë solidaritet dhe bashkëpunim të plotë me Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste, veçanërisht PKK, PYD/YPG dhe FETO, dhe se nuk do të mbështesnin grupet që kërcënonin sigurinë kombëtare të Turqisë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like