Haradinaj: Pranimi i marrëveshjeve një nga një – strategji e Serbisë për të blerë kohë e vonuar Kosovën

by admin
Spread the love

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më parë ka shpërndarë një deklaratë të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj ku thoshte se pa SHBA-në nuk ka marrëveshje finale, që përfshin njohjen reciproke.

Por, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar përsëri duke thënë se marrëveshjet që po bëhen veç e veç janë interes i Serbisë, për ta vonuar Kosovën.

Haradinaj tha se Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare që sipas tij, arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.

Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit.

Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, shkroi ai.

Lexo lajme interesante

You may also like