Halimi flet për edicionin pranveror dhe synimet e Prishtinës

by admin
Spread the love

Prishtina e nis stinorin pranveror të dielën me ku do të përballet me Malishevën në stadiumin “Liman Gegaj”.

Dueli në fjalë i takon xhiros së 19 në elitën e futboll kosovar dhe nis në ora 13:00.

Prishtina dhe Malisheva janë takuar dy herë në kuadër të këtij kampionati teksa ndeshja e parë e zhvilluar në Malishevë ka përfunduar me rezultat 1:1, kurse takimi i dytë i luajtur në “Fadil Vokrri” është mbyllur me shifrat 2:1 në të mirë të Prishtinës.

Prishtina para këtij takimi ndodhet në pozitën e pestë me 24 pikë të tubuara derisa Malisheva zë pozitën e shtatë me 19 sosh.

Portieri i Prishtinës, Betim Halimi, ka folur për takimin e së dielës për faqen zyrtare të klubit prishtinas.

“Ndeshja me Malishevën është e një rëndësie të veçantë duke i ditur synimet tona për titullin kampion që i ka Prishtina. Malishevën e respektojmë sepse e ka një skuadër shumë të mirë, por jam i bindur se në fund do të jetë fitorja e Prishtinës”, ka thënë Betim Halimi për faqen zyrtare të Prishtinës.

Ai foli edhe për përgatitjet që i ka bërë Prishtina për rifillimin e garave.

“Skuadra është përgatitur shumë mirë për rifillimin e garave. E kemi zhvilluar fazën përgatitore në Antalia ku kemi zhvilluar disa ndeshje kontrolluese me skuadra të vendeve të ndryshme me të cilat kemi treguar paraqitje të mira. Konsideroj se jemi përgatitur maksimalisht në aspektin tekniko-taktik, po ashtu në nivelin më të lartë të përgatitjes fizike dhe duke i patur parasysh këto komponente, rezultatet në këtë sezon do të jenë në nivelin kulminant”, shtoi Halimi.

“Mendoj se Prishtina është skuadër me reputacion në nivel vendor dhe ndërkombëtar, prandaj është përgjegjësi e madhe dhe paraqitja për këtë ekip. Pas fitores ndaj Drenicës (në Kupën e Kosovës), në skuadër po mbretëron atmosferë shumë e mirë. Konsideroj se përparësi e kemi përvojën, vullnetin dhe energjinë pozitive, por padyshim edhe potencialin profesional që e posedojnë lojtarët e Prishtinës. Jam shumë i bindur në fitore nesër ndaj Malishevës”, përfundoi Betim Halimi

You may also like