Greva shtyn qytetarët nga Prishtina t’i drejtohen Graçanicës për dokumente

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Nxjerrja e dokumenteve nëpër komuna, nga viti në vit është bërë gjithnjë e më e lehtë. Por nga 25 gushti, shumë prej këtyre dokumenteve nuk mund të nxjerrën për shkak të grevës së përgjithshme, ku është përfshirë edhe administrata publike.

E qytetarët nga rajoni i Prishtinës po bëjnë zgjidhje, duke shkuar në komunat e banuara me shumicë serbe për t’i nxjerrë dokumentet që u duhen. Një nga më të ngarkuarat është ajo e Graçanicës.

Nënkryetari i kësaj komune, Leutrim Ajeti, i ka thënë KOHËS se lëvizjet e qytetarëve në këtë komunë janë shpeshtuar gjatë dy javëve të fundit.

Ai thotë se arsyetimi i tyre është greva, ndërsa obligimi komunal është që atyre t’u jepen dokumentet e kërkuara.

“Që nga fillimi i grevës së administratës publike, në Komunën e Graçanicës po vijnë për nxjerrje të certifikatave edhe nga komunat tjera. Arsyetimi i tyre është se në Prishtinë nuk po punohet për shkak të grevës. Puna është ngarkuar, por obligimi është t’ju jepen certifikatat”, ka thënë ai.

Platforma e-Kosova ua mundëson qytetarëve të marrin certifikata dhe ekstraktin e lindjes, por jo edhe dokumentet tjera që lëshohen brenda ndërtesës së komunave.

Zëdhënësja për komunikim në Komunën e Prishtinës, Arlinda Kastrati, ka thënë se aktualisht po lëshohen vetëm dokumente për raste emergjente, që kanë të bëjnë me çështje shëndetësore apo terminë ambasadash.

“Dy dokumente mund të nxirren online përmes e-Kosova, certifikata e lindjes dhe ekstrakti, ndërsa dokumentet tjera si për bashkësinë familjare e tjerat që merren prej komunës, aktualisht mund të nxirren vetëm ne raste emergjente, si p.sh. ndonjë urgjencë shëndetësore apo vizë”, ka thënë ajo.

Që nga 25 gushti, punonjësit e administratës publike bashkë me ata të arsimit, kanë hyrë në grevë të përgjithshme për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.

Ata, ndër tjera po kërkojnë 100 euro shtesë në pagë deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Të gjithë qytetarët që janë të regjistruar në sistem, mund të nxjerrin dokumente në cilëndo komunë.

You may also like