Gratë edhe në luftë, edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë të vështirësive të jetës

by admin
Spread the love

Sa më shumë gra në jetën politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, aq më shumë cilësi ka demokracia e atij vendi, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e fillimit të Javës së Grave (WoW).

Kurti tha se në njërën anë nuk ka demokraci pa gjithëpërfshirje, ndërkaq në anën tjetër sipas tij, kur gratë janë të përjashtuara largohemi nga demokracia edhe u afrohemi autokracive.

Ai tha se po e shohim sot se si autokracitë, përveç se bëjnë shtypje brenda, gjithashtu zhvillojnë edhe hegjemoni jashtë, që shpie edhe deri të luftërat e përgjakshme.

Siç thuhet në një komunikatë për media, Kurti shprehu admirimin dhe solidaritetin me popullin ukrainas, që po lufton për çlirim kundër invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje, e në veçanti për gratë ukrainase, sepse, siç tha ai, ne e dimë shumë mirë që gratë edhe në luftë, edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë të vështirësive të jetës e të jetesës.

“Ne e dimë që burrat e moshës së mesme janë me shumicë në politikë, mirëpo gratë dhe rinia përbëjnë shumicën e popullsisë”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo nuk duhet harruar asnjëherë dhe kur të përpilohen politikat partiake e publike, kur mendojmë, kur shkruajmë, kur flasim, kur veprojmë, do të duhej që ta kemi këtë gjë parasysh”, tha ai.

Tutje theksoi se e tëra nis në organizimet politike, në mënyrë që gratë, vajzat të kalojnë në tri shkallët e diskutimit: nga përjashtimi te përfshirja, nga përfshirja te pjesëmarrja, dhe nga pjesëmarrja te vendimmarrja tha kryeministri.

Ndryshe Java e Grave (Week of Women) organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

 

You may also like