Gostia me Vuçiqin në Beograd, Blerim Latifi ka disa pyetje për Ramën

by admin
Spread the love

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka reaguar pas darkës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren serbe, Ana Brnabiq.

Latifi ia ka parashtruar disa pyetje Ramës, pas publikimit të fotografisë nga kjo darkë.

Ai e ka pyetur Ramën se si mund ta quajë vëlla Hashim Thaçin e të ulet në darkë me “ata që kanë sajuar dhe dërguar në Hagë qindra dosje për ta dënuar Hashim Thaçin” dhe me “ata të cilët nuk lanë gur pa lëvizur që ta rrënojnë shtetësinë e Kosovës”.

“Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, duke kuptuar dobësinë aktuale të Bashkimit Europian dhe shpërqendrimin e Amerikës, i janë i rikthyer planeve për të rindërtuar hegjemoninë e re serbe në rajon?

Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, të nxitur nga Rusia, kërcënojnë hapur ta ndezin flakë edhe njëherë Bosnjën, ndërsa vetëm pak kohë më parë e kanë shkatërruar sovranitetin e Malit të Zi, duke sjellë në pushtet një qeveri, të cilës NATO refuzon t’i japë informacionet sekrete të saj, edhe për kundër faktit se Mali i Zi është anëtar i saj? A nuk tregon gjithçka ky refuzim?”, kanë qenë dy pyetjet e tjera të Latifit drejtuar Ramës.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka postuar një foto nga darka që ka ngrënë mbrëmë para takimit të radhës të iniciativës “Open Balkan”, me kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Malit të Zi, Edi Rama, përkatësisht Zdravko Krivokapiq.

Në këtë darkë është edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veritu, Nikola Dimitrov dhe kryeministrja e Serbisë, ana Brnabiq. Vucic ka shkruar në rrjete sociale se mysafirët i kanë pritur me verë serbe. Darka i paraprin takimit të radhës për “Open Balkan”.

Postimi i plotë i Latifit:

I kam kundërshtuar gjithmonë ata që tek Edi Rama shohin një rimishërim të Esad Pashë Toptanit të viteve 1913-15 apo të Ahmet Zogut të vitit 1924. Janë rrethana të tjera historike dhe për dallim prej tyre Ramës nuk i duhet ndihma e Beogradit për ta marrë ose mbajtur pushtetin në Tiranë. Por kur e shoh fotografinë nga darka e mbrëmshme në Beograd, nuk mundem të mos i shtroj disa pyetje, thjesht morale:

– Si është e mundur moralisht ta quash Hashim Thaçin vëlla dhe njëkohësisht të ulesh në një darkë miqësore me ata që kanë sajuar dhe dërguar në Hagë qindra dosje për ta dënuar Hashim Thaçin me dënimin më të rëndë që mund të marrë një njeri: për krime kundër njerëzimit?

– Si është e mundur moralisht që, si kryeministër i Shqipërisë, të ulesh në një darkë miqësore me ata të cilët nuk lënë gur pa lëvizur që ta rrënojnë shtetësinë e Kosovës?

– Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, duke kuptuar dobësinë aktuale të Bashkimit Europian dhe shpërqendrimin e Amerikës, i janë i rikthyer planeve për të rindërtuar hegjemoninë e re serbe në rajon?

– Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, të nxitur nga Rusia, kërcënojnë hapur ta ndezin flakë edhe njëherë Bosnjën, ndërsa vetëm pak kohë më parë e kanë shkatërruar sovranitetin e Malit të Zi, duke sjellë në pushtet një qeveri, të cilës NATO refuzon t’i japë informacionet sekrete të saj, edhe për kundër faktit se Mali i Zi është anëtar i saj? A nuk tregon gjithçka ky refuzim?

Unë e kuptoj vullnetin e mirë të Ramës për një Ballkan që ecë përpara, por vullneti i mirë dhe Beogradi janë dy gjëra që kurrë s’kanë shkuar dhe vazhdojnë të mos shkojnë bashkë.

You may also like