Google, plane të reja për qëndrueshmërinë, duke përfshirë një llogaritës të kostos të karburantit

by admin
Spread the love

Google po ndërmerr disa plane të reja për qëndrueshmërinë, sipas njoftimit të vetë kompanisë në eventin e saj, Search On.

Gjiganti i kërkimeve në internet do të fillojë të tregojë koston vjetore të karburantit për makinat që shfaqen në rezultatet e kërkimit, për të ndihmuar njerëzit që duan të blejnë një makinë të re.

Google gjithashtu do të tregojë vlerësime për emetimet e makinave, duke ju mundësuar kështu që të kuptoni më mirë se si është një model i veçantë i një makine që ju pëlqen në krahasim me modele të tjera të ngjashme. Këto veçori të reja do të fillojnë të shfaqen gjatë ditëve të ardhshme, thotë Google.

Nëse jeni duke menduar të blini një automjet elektrik, Google së shpejti do të shfaqë koston e parashikuar dhe shpejtësinë e karikimit për makina të ndryshme elektrike.

Ju gjithashtu do të jeni në gjendje të identifikoni lehtësisht stacionet publike të karikimit që ndodhen më pranë jush, të cilat i përshtaten makinës specifike që synoni të blini.

Të gjithë këto elementë synojnë ta bëjnë më të lehtë vendimin tuaj për blerjen e një makine të re. Përveç këtyre veçorive, përdoruesit në Shtetet e Bashkuara së shpejti do të mund të shohin incentivat tatimore federale gjatë kërkimeve në Google, kur të kërkojnë për të blerë një makinë elektrike.

Për më tepër, Google do të fillojë të dallojë në rezultatet e kërkimit se cilat produkte janë “të përdorura”. Gjatë këtij viti, do të aplikohet një veçori e re, e cila do të etiketojë si “të përdorura” të gjithë artikujt e dorës së dytë që do të shfaqen në rezultatet e kërkimit për t’u blerë nga përdoruesit. Kompania thotë se kjo veçori është krijuar për ta bërë më të lehtë për përdoruesit që të bëjnë zgjedhje sa më të qëndrueshme dhe, ndoshta, edhe për të bërë të mundur që ata të kursejnë disa para.

Gjiganti i kërkimeve në internet do të shtojë gjithashtu edhe informacione për nivelet e emetimit të përbërësve, kur ju kërkoni në Google për receta të ndryshme gatimi. Së shpejti, kur të kërkoni për receta të caktuara, si për shembull “receta me fasule” ose “pulë me brokoli”, do të mund të shihni se si një përbërës krahasohet me të tjerët për sa i përket emetimeve.

Për shembull, ju do të jeni në gjendje të krahasoni emetimin mesatar të gazeve serë të mishit të viçit me atë të qengjit. Informacioni që do të shfaqet, do të ketë si burim Organizatën e Kombeve të Bashkuara, thotë Google. Kjo veçori së shpejti do të jetë e disponueshme në mbarë botën, për të gjithë përdoruesit e Google në gjuhën angleze.

Google thotë se interesi i kërkimeve për terma të tillë si “automjetet elektrike”, “energjia diellore” dhe “dyqanet e artikujve të përdorur” arriti nivele të reja në nivel global gjatë vitit të kaluar, gjë që tregon se njerëzit janë në kërkim të mënyrave për të praktikuar konceptet e qëndrueshmërisë edhe në përditshmërinë e tyre.

Kështu, këto veçori të reja synojnë t’u ofrojnë përdoruesve mënyra të reja për të bërë zgjedhje më të qëndrueshme për mjedisin.

 

Ky njoftim vjen pasi Google ka shtuar disa opsione të reja për të ndihmuar përdoruesit që të zgjedhin alternativa më të qëndrueshme.

Javën e kaluar, kompania njoftoi se do të shtojë një sërë veçorish të reja të cilat do t’u mundësojnë udhëtarëve që të filtrojnë më mirë kërkimet e tyre, për të bërë zgjedhje më të qëndrueshme kur rezervojnë fluturime ose hotele, si dhe opsione të përmirësuara për trenat.

Me këto veçori të reja, përdoruesit do të jenë në gjendje të filtrojnë drejtpërdrejt kërkimet për fluturime dhe për hotele, duke hequr totalisht opsionet e paqëndrueshme nga rezultatet e kërkimeve të tyre. / Tech Crunch

You may also like