Google Maps tani ju ndihmon të gjeni stacione rikarikimi për makinat elektrike

by admin
Spread the love

Në tre vitet e fundit, Google Maps ka bashkëpunuar me partnerë të stacioneve të rikarikimit për automjete elektrike, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Tani, kompania po e zgjeron shërbimin në pjesën më të madhe të vendeve dhe ofron të dhëna të dobishme për shpejtësinë e rikarikimit dhe llojin e prizave, duke përfshirë mundësinë që ju të caktoni preferencat personale.

Funksioni është i disponueshëm në aplikacionet për telefonat Android dhe iOS. Ai ofron informacione mbi faktin nëse stacionet e rikarikimit janë falas, edhe pse kjo varet nga tregu dhe disa vende do të kenë më pak detaje.

Filtrat e rinj janë pjesë e një përditësimi të madh të Google Maps gjatë verës. Platforma do të ofrojë funksionin Live View në disa qytete të zgjedhura.

Google Maps po përditëson edhe funksionin e tij të realitetit të shtuar (AR). Duke nisur nga java tjetër, falë një funksioni të quajtur “Search with Live View”, do të mund të përdorni kamerën e telefonit për të parë se çfarë ka rreth jush.

Nëse ju mbani telefonin në dorë, për shembull, dhe prekni ikonën e fotokamerës në Maps, do të shihni disa vende me interes si parqe, hotele, restorante, bare, banka dhe bankomate në afërsi.

Funksioni do të përurohet, për herë të parë, në gjashtë qytete të mëdha: Nju Jork, Londër, Los Anxhelos, San Francisko, Tokio dhe Paris.

Google ka zgjeruar në gjithë tregjet botërore funksionin Accessible Places, që shfaq një ikonë në profilin e një kompanie për të treguar nëse mund të aksesohet nga njerëzit në karrige me rrota. Funksioni është i disponueshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Japoni që nga viti 2020.

Google thekson se funksioni mund të përdoret edhe nga njerëzit që ecin me ndonjë karrocë, pasi mund të duan të dinë nëse ka ndonjë rampë për të vizituar ndonjë vend specifik.

/ CNBC

 

 


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like