Goditi me shufër metalike një person pas një mosmarrëveshje për pronën, deklarohet i pafajshëm i akuzuari

by admin
Spread the love

I akuzuari S.I është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në tetor të 2018-ës, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarit M.I, e ka goditur me shufër metalike në gjatësi prej dy metra, me ç’rast sipas ekspertizës mjekësore i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Këtë deklarim i akuzuari e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Leonora Kadriu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit, avokati Argjent Xheladini, deklaroi se e mbështet fjalën e të mbrojturit të tij, si dhe e njoftoi gjykatën se brenda afatit ligjor do ta parashtrojnë kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe me këtë aktakuzë për veprën penale “kanosja” ngarkohej edhe E.I, vepra e të cilit është përfshirë në parashkrim relativ.

Gjykatësja e çështjes Blerina Jakupi Ramadani, tha se pika II, e aktakuzës për të pandehurin E.I është përfshirë në parashkrim relative të ndjekjes penale dhe gjykata lidhur me këtë konform nenit 106 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 të KPRK-së, do të vendos me aktvendim të veçantë jashtë seancës.

Ndryshe i akuzuari S.I është sjellë nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan, ku aty po mbahet pasi me akuzën e nga viti 2019, ku po akuzohet se në bashkëveprim ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” ku nga jeta është privuar M.I, i dëmtuari në këtë rast.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2018-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve S.I dhe E.I.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës i akuzuari S.I, akuzohet se më 19 tetor 2018, rreth orës 17:20 min, në fsh. Sadovinë e Qerkezëve, K. Viti, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit M.I, në atë mënyrë, që për shkak të mosmarrëveshjeve, lidhur me një kontest pronësor, fillimisht kishte ardhur deri te mosmarrëveshja verbale mes të pandehurit dhe të dëmtuarit M., e më pastaj edhe tek kontakti fizik, ashtu që i pandehuri me një shufër metali në gjatësi prej dy metra, (mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor) e godet në krah tani të dëmtuarin Muhamet, me c’rast i shkakton lëndime të lehta trupore, konstatuar me ekspertizën mjeko ligjore te datës 14.11.2018.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale, lëndimi i lehtë trupor nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 të KPRK-së.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze i pandehuri i dytë E.I, me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me qëllim frikësimi seriozisht e kanos të dëmtuarin – të pandehurin S.I, ashtu që derisa i pandehuri S. kishte pasur mosmarrëveshje me të dëmtuarin M., ndërhyn edhe i pandehuri E., në atë mënyrë që merr sëpatën (mjeti i rrezikshëm) dhe niset në drejtim të të dëmtuarit S., me ç’rast ndërhynë I.I, për t’ia larguar sëpatën, e me rastin e largimit të sëpatës, i njëjti pëson lëndim të lehtë trupor duke e lënduar dorën e djathtë, ashtu që veprimet e të pandehurit E., tek i dëmtuari S., shkaktojnë ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale, “kanosja” nga neni 185 paragrafi 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

You may also like