Gjukanoviç: Priftërinjtë ortodoks serbë janë mbështetës e madje edhe aktorë të krimeve të kryera në ish-Jugosllavi

by admin
Spread the love

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç kërkon reformim të Kishës Ortodokse Serbe.

Reagimi i tij vjen pasi qeveria e Dritan Abazoviç miratoi një marrëveshje me kishën, që po kritikohet gjërësisht.

Partia e Milo Gjukanovic ka deklaruar se marrëveshja dëmton interesat kombëtare të vendit dhe për këtë arsye nuk do ta mbështesë më qeverinë Abazoviç.

Gjukanoviç rikujtoi rezolutën e miratuar kohëve të fundit në Parlamentin Evropian, për të bazuar qëndrimin dhe kritikën e tij ndaj këtij institucioni fetar.

Sipas rezolutës së miratuar nga Parlamenti Evropian, Kisha Ortodokse Serbe është promovuese e deklaratave pro-ruse dhe anti-evropiane dhe po shkakton përçarje etnike.

“Ky institucion duhet të rikonstruktohet tërësisht. Të gjithë e dimë se priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe merrnin pjesë në fushata të shumta ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Ata janë mbështetës e madje edhe aktor të krimeve të kryera, dhe besojnë se veshja e priftit mund t’i mbrojë”, ka deklaruar për mediat vendase Presidenti i Malit të Zi.

Pas këtyre deklaratave reagoi Kisha Ortodokse serbe duke e cilësuar Gjukanoviçin, “ateist të deklaruar” dhe kërkoi që presidenti malazez të mbajë përgjegjësi penale për këto deklarata.

Mali i Zi është në një krizë të re politike pas marrëveshjes që rregullon marrëdhëniet e shtetit me Kishën Ortodokse Serbe. Kabineti Abazovic mund t’i nënshtrohet një mocioni mosbesimi në të ardhmen, pasi disa prej aleatëve të tij kanë deklaruar se nuk e mbështesin më.

Vetë Abazoviç ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë mes tyre edhe zgjedhjet, ndërsa qytetarët kanë nisur protestat kundër kësaj marrëveshjeje.

Çfarë parashikon kjo marrëveshje?

Marrëveshja mes Abazoviqit dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe.

Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe:

  • Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale;
  • Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore;
  • Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj;
  • Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare;
  • Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.

Problemi kryesor me vendosjen e një sasie kaq të madhe pushteti në duart e një kishe të vetme – asaj Serbe – është fakti që komuniteti ortodoks në Mal të Zi nuk i takon vetëm drejtimit serb.

Në fakt, sipas censusit të vitit 2011, 72% e popullsisë malazeze identifikohen si të Krishterë Ortodoks – prej të cilëve, rreth 70% identifikohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që do të thotë se pjesa e mbetur – 30% identifikohen me rivalen e saj, Kishën Ortodokse Malazeze.

Më pas muslimanët përbëjnë një tjetër 20% të popullsisë dhe katolikët apo fetë e tjera, përqindjen e mbetur.

Rruga Press

You may also like