GJERMANI – Masa drastike për kursimin e energjisë elektrike

by admin
Spread the love

BERLIN, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck njoftoi sot një sërë masash të reja për kursimin e energjisë elektrike në kushtet kur vendi mund të përballet me ndërprerje të mundshme të energjisë për shkak të krizës që pasoi mosmarrëveshjet me Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë.

Ngrohja në godinat publike do të lejohet deri në 19 gradë celsius, ndërkohë që ndërtesat, monumentet, si edhe instalimet e reklamave nuk do të ndriçohen më gjatë natës, deklaroi Habeck në një intervistë për gazetën “SZ”.

“Më shumë masa kursimesh do të duhet të zbatohen në sferën e punës”, theksoi ai pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Ai shtoi se kjo çështje po diskutohej me Ministrinë e Punës.

Muajin e kaluar, Habeck paraqiti një paketë të re të sigurisë së energjisë në kushtet e një ndërprerjeje të ndjeshme të furnizimeve me gazin rus. Paketa e propozuar nënvizonte se është jetike që konsumi i gazit nga kompanitë, ndërtesat publike dhe shtëpitë private të ulet ndjeshëm.

Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me departamente të tjera të qeverisë, tani po shqyrton masa shtesë lidhur me efiçencën e energjisë.

Këto masa janë planifikuar për një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh.

You may also like