GJERMANI – Ish-kancelari Schröder padit Bundestagun për privilegjet e humbura

by admin
Spread the love

BERLIN, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder ka paditur Bundestagun në përpjekje për të rifituar privilegjet e veçanta, që iu ndaluan në maj këtë viti, deklaroi sot avokati i tij për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

Sipas avokatit të tij mbrojtës, Michael Nagel, në padinë e depozituar në Gjykatën Administrative të Berlinit, 78-vjeçari kërkon t’i rikthehet një zyrë në parlament.

Në maj të këtij viti, Komiteti i Bundestagut për Buxhetin vendosi që Schröder, prej kohësh objekt i kritikave të ashpra në Gjermani për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë, duhej të hiqte dorë nga e dreja për të patur një zyrë në Bundestag, ndonëse do të vazhdonte të gëzonte mbrojtje nga truproja sigurie.

Ekipi ligjor i ish-kancelarit argumenton që vendimi i Komietit për ndërprerjen e financimit të zyrës parlamentare të Schröder ishte i paligjshëm, bën të ditur agjencia DPA duke cituar deklaratën e publikuar nga studioja ligjore.

Ish-kancelari, i cili shërbeu në periudhën mes viteve 1998 dhe 2005, është kritikuar prej vitesh për përfshirjen e tij me kompanitë shtetërore ruse, ndërkohë që konsiderohet si mik i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

Presioni mbi Schröder për t’u distancuar nga Putini u shtua pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti.

Partia e tij e qendrës së majtë SPD vendosi këtë javë se nuk kishte asnjë arsye për përjashtimin e tij nga partia.

Schröder nuk ka shkelur rregullat e SPD-së duke u angazhuar në kompanitë shtetërore ruse, që do të thotë se nuk ka arsye për përjashtimin, madje as për qortimin e tij, deklaroi komisioni partiak në qytetin verior gjerman të Hanoverit.

/u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like