GJERMANI – ”Eurowings” anulon qindra fluturime përpara grevës treditore të pilotëve

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

KËLN, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Linja ajrore gjermane ”Eurowings” njoftoi se është e detyruar të bëjë qindra anulime fluturimesh, nga e hëna deri të mërkurën e ardhshme, për shkak të grevës së dytë të pilotëve brenda pak javësh.

”Nga 400 fluturimet e planifikuara për të hënën, më shumë se 230 pritet të realizohen”, njoftoi të dielën dega e ”Lufthansa”-s.

”Eurowings” pret të operojë më shumë se gjysmën e programit të saj të planifikuar të fluturimeve, të martën dhe të mërkurën.

Sindikata ”Vereinigung Cockpit” u ka bërë thirrje pilotëve të ”Eurowings” që të ndalojnë punën nga mesnata (22:00 GMT) e së hënës deri të mërkurën.

Sindikata tha se arsyeja ishte një ofertë e pamjaftueshme nga ana e punëdhënësit në lidhje me një marrëveshje kolektive për kushte më të mira pune.

Fakti që ”Eurowings” pret të jetë në gjendje të operojë më shumë se gjysmën e fluturimeve të saj të planifikuara, është pjesërisht për shkak të faktit se filialja austriake ”Eurowings Europe” nuk është prekur nga veprimi sindikalist.

Linja ajrore ”Eurowings Discover”, e cila operon nga Frankfurt dhe Mynihu, gjithashtu nuk preket.

Përveç kësaj, dega e ”Lufthansa”-s po përdor avionë nga kompani partnere që operojnë gjithashtu disa nga fluturimet e tjera të saj.

”Oraret e fluturimeve për të martën dhe të mërkurën do të publikoheshin sapo të bëhet e qartë se sa pilotë raportojnë për detyrë fluturimi pavarësisht thirrjes për grevë”, tha ”Eurowings”.

Pasagjerëve iu kërkua të kontrollonin vazhdimisht statusin e fluturimit të tyre nëpërmjet faqes së internetit ose aplikacionit të klientit të ”Eurowings”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like