FRANKFURT, 16 janar /ATSH-ANSA/ – Aeroporti i Frankfurtit pritet të hasë vonesa dhe anulime të shumta fluturimesh në ditët në vijim për shkak të parashikimeve të reshjeve të borës dhe shiut të ftohtë.
‘’Vetëm trafiku ajror shumë i kufizuar do të lejohet në aeroport të mërkurën dhe të enjten’’, njoftoi të martën kompania operuese Fraport.
Aeroporti i Frankfurtit është qendra ajrore më e madhe dhe më e rëndësishme e Gjermanisë dhe është ndër aeroportet më të ngarkuara në Evropë.
‘’Pasagjerët duhet të mësojnë për fluturimet e tyre paraprakisht dhe të mos paraqiten në aeroport nëse fluturimet anulohen’’, theksoi operatori i aeroportit.
Vetëm të mërkurën në aeroportin e Frankfurtit priten rreth 1030 mbërritje dhe nisje.
Linjat ajrore shpesh anulojnë ose riplanifikojnë fluturimet një ditë më parë në rast të paralajmërimeve të motit të rëndë.
‘’Siguria është prioriteti kryesor në trafikun ajror’’, theksoi agjencia Fraport.
Në rast të reshjeve të mëdha të borës dhe shiut të ngrirë, ekuipazhet mund të mos jenë në gjendje të mbajnë shpatet pa borë dhe akull, pavarësisht mirëmbajtjes së vazhdueshme dimërore, tha kompania. /os/