GJENEVË – OBSH: Yndyrat trans rrezikojnë shëndetin e miliarda njerëzve

by admin
Spread the love

GJENEVË, 23 janar /ATSH-DPA/- Mbi 5 miliardë nga 8 miliardë njerëz në botë janë të ekspozuar ndaj yndyrave trans të prodhuara në mënyrë industriale dhe të dëmshme në ushqimet e tyre, raportoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Organi i OKB-së me seli në Gjenevë tha se synonte që këta përbërës të pashëndetshëm në ushqime të caktuara të zhdukeshin brenda këtij viti. Egjipti, Pakistani dhe Koreja e Jugut janë ndër vendet më të prekura nga kushtet shëndetësore të lidhura me yndyrat trans.

“Yndyrat trans paraqesin rreziqe të mëdha shëndetësore që sjellin kosto të mëdha për sistemet shëndetësore”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“E thënë thjesht, yndyra trans është një kimikat toksik që vret dhe nuk duhet të ketë vend në ushqim. Është koha për ta hequr qafe atë një herë e përgjithmonë”, ai shtoi.

Sipas shifrave të OBSH-së, yndyrnat trans çojnë në gjysmë milioni vdekje të parakohshme nga sëmundjet e zemrës çdo vit.

Yndyrnat trans janë acide yndyrore të pangopura që mund të gjenden në ushqime natyrale ose të përpunuara. Ato prodhohen në sektorin e ushqimit të përpunuar nga hidroliza e vajrave për të prodhuar yndyrna të ngurta si margarina.

Trajtimi termik i vajrave bimore gjithashtu mund të çojë në prodhimin e yndyrave trans.

Ushqimet që përmbajnë nivele të larta të yndyrave trans përfshijnë prodhimet e pjekura dhe ëmbëlsirat, produktet e patates së skuqur dhe ushqimet e gatshme.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like