Gir: Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet, filloi numërimi deri në hyrjen në BE

by admin
Spread the love

Është lajm i mirë ai që javën e kaluar Bashkimi Evropian filloi bisedime për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ato janë lajme të shkëlqyera, ky është zhvillim historik edhe për vendet në fjalë, por edhe për BE-në. Dhe ecëm një hap para, në ditën e njëjtë filloi procesi i skriningut. Domethënë filloi numërimi deri në hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE, deklaroi sot euroambasadori Dejvid Gir.

“Absolutisht i filluat bisedimet me Bashkimin Evropian dhe ky është lajm i mirë”, tha Gir në intervistën për televizionin Kanal 5.

Sa i përket dallimeve në dokumentet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Gir tha se është relativisht normale që të ketë dallime mes çdo procesi të anëtarësimit në shkallë të caktuara.

“Në këtë rast bëhet fjalë për sa vijon, javën e kaluar patëm atë që quhet konferencë ndërqeveritare me të cilën e nisëm procesin. Tani kemi filluar procesin e skriningut. Në fund të këtij procesi, Maqedonia e Veriut do të ketë konferencën e dytë ndërqeveritare dhe për ta mbajtur atë, Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë detyrimin që i ka bërë Bullgarisë, të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë që të ketë një përcaktim të qartë për personat dhe qytetarët të cilët identifikohen si bullgarë, në mbrojtjen e vetë Kushtetutës”, sqaroi Gir.

Por, tha euroambasadori, pasi që ky kusht është në duart e Maqedonisë së Veriut kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të rezultojë me shtyrje ose të shërbejë si pengesë e procesit, sepse, sipas tij, nuk ka asnjë palë ose shtet i cili do ta pengonte mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare.

Gir sqaron se ka dy faza në procesin e skriningut. Faza e parë, tha ai, quhet Skrining sqarues dhe ai është kur Komisioni Evropian bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë e shqyrton procesin e plotë dhe e sheh çka duhet të bëhet gjatë atij procesi. Sipas Gir, të dyja vendet kanë përparuar shumë në atë kuptim për shkak të punës përgatitore e cila ndodhi përgjatë viteve.

Pastaj, shtoi ai, ka fazë të dytë, ose Skrining dypalësh, i cili, sipas tij është shumë i strukturuar dhe intensiv në dialog dhe i cili mund të zgjasë prej 14 deri 16 muaj në tërësi, ndërsa në të cilin Komisioni Evropian i sheh normat dhe legjislacionin në fuqi në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, i sheh boshllëqet, identifikon ku ato boshllëqe duhet të plotësohen dhe identifikon cilat standarde janë të nevojshme të bëhen që të ketë progres.

Sa i përket ndryshimit të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe çka nëse nuk ndodh kjo, euroambasadori theksoi se atëherë skenari më shumë i mundshëm do të ishte se procesi do të ndalojë aty.

“Ndryshimi i Kushtetutës është një vendim sovran i këtij vendi. Por vendi tashmë ka një histori të mirë në marrëdhëniet ndëretnike dhe nëse bëhet ky ndryshim, ai do të forcojë më tej përparimin që është bërë në atë fushë. Nëse nuk ndodh ndryshimi i Kushtetutës, do të thosha se skenari më i mundshëm do të ishte që procesi të ndalet me kaq. Me fjalë të tjera, skriningu do të vazhdojë deri në një pikë dhe më pas do të ndalet duke e pritur shtetin”, tha Gir, duke sqaruar se kjo nuk është për shkak se një shtet i tretë vendosi veton ndaj tij, por se vetë shteti vendosi të tërhiqet nga detyrimet që kishte marrë për këtë çështje.

Anëtarësimi në BE, siç shtoi ai, varet nga shpejtësia me të cilën zbatohen reformat.

“Kam shumë besim. Ne kemi filluar negociatat, vendi ka arsye të jetë optimist dhe të jetë i sigurt në identitetin dhe perspektivën e tij evropiane. Mendoj se procesi po ecën përpara me një dinamikë pozitive, por ka shumë punë, shumë reforma para se vendi të bëhet anëtar i plotë i BE-së”, tha Gir në një intervistë për televizionin Kanall 5.

You may also like