Në gjysmën e parë të vitit 2022, vlera e sanksioneve të vendosura për mosrespektimin e dispozitave të GDPR arriti në total 97.29 milionë euro, me rritje 92% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Kjo thuhet në raportin e Atlas Vpn, i cili analizoi të dhënat e platformës Enforcementtracke, ku regjistrohen gjithë gjobat e publikuara.
Raporti thekson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, gjoba e vendosur shoqërive dhe personave fizikë ishte në total 50,6 milionë euro, si rezultat i 215 padive të lidhura me shkelje të General Data Protection Regulation.
Duke marrë në konsideratë se në gjysmën e parë të vitit 2022, kauzat ishin 205, duket qartë se ashpërsia e shkeljeve është rritur ndjeshëm. Diferenca më e dukshme mes vitit 2021 dhe 2022 është shënuar në muajin shkurt, ku shuma totale e penalizimit ndryshon me gati 28 milionë euro.
Rastet e Notebooksbilliger.de dhe Clearview Ai
Ndër rastet më të bujshme, Atlas Vpn përmend Notebooksbilliger.de. Kompania gjermane kishte monitoruar punonjësit e saj nëpërmjet videove për të paktën dy vjet, pa asnjë bazë ligjore.
Në qershor 2021, komisioneri shtetëror për mbrojtjen e të dhënave në Saksoninë e Ulët vendosi një sanksion prej 10,4 milionë eurosh. Telekamerat, të gjykuara të papranueshme, kanë regjistruar, ndër të tjera vende pune, salla shitjesh, magazina dhe zona të përbashkëta.
Kompania është kundërpërgjigjur duke thënë se mbikëqyrja kishte për qëllim parandalimin e vjedhjeve të mundshme dhe gjurmimin e mallit në magazina. Megjithatë, vëzhgimi me video është i ligjshëm vetëm kur ekziston një dyshim i justifikuar për individë të caktuar. Por ky nuk ishte rasti i Notebooksbilliger.de.
Në maj 2022, Information Commissioner’s Office (Ico) britanik gjobiti Clearview Ai me 7.5 milionë paund për përdorimin e imazheve të personave në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë të mbledhura nga webi dhe rrjetet sociale për të krijuar një bazë të dhënash online globale “për të ushqyer” algoritmet e njohjes së fytyrës.
Clearview Ai kishte mbledhur më shumë se 20 miliardë imazhe fytyrash dhe të dhëna personash nga informacione publikisht të disponueshme, duke mos njoftuar të interesuarit që imazhet e tyre jo vetëm mblidheshin dhe shfrytëzoheshin, por që edhe sjellja e tyre online monitorohej për të ofruar shërbime për profilizim komercial.
/ Corriere Comunicazione