Gazment Bardhi: Kartat e delegatëve janë të falsifikuara, i kanë prodhuar persona të paidentifikuar pa autorizimin e partisë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me prodhimin e disa bexhave që i janë shpërndarë delegatëve të PD-së, për organizimin e Kuvendit Kombëtar në datën 11 dhjetor.

Bardhi thotë se ky veprim është i jashtëligjshëm, pasi përdorimi i simboleve dhe të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga Partia Demokratike.

Ai shkon më tej dhe i quan kartat e delegatëve si të falsifikuara dhe të prodhuara nga persona të paidentifikuar.

Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD”, shprehet Bardhi.

Deklarata e plotë e Bardhit:

“Të nderuar, Në vijim të shqetësimit të shprehur nga disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PDSH për përdorimin pa të drejtë të të dhënave të tyre, në një dokument që përmban simbolet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam konstatuar se: Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të Partisë Demokratike ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH.

Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD.

Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në Degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH.

Duke ju uruar punë të mbarë,
Sekretari i Përgjithshëm
Gazment Bardhi”, deklaron ai.

You may also like