Gazetari nxjerr zbuluar ish-kryeministrin: E vërteta e “pranimit” të padisë së Sali Berishës në Paris

by admin
Spread the love

Gazetari Albi Xhunga ka treguar detaje se çfarë qëndron pas lajmit që dha ish-kryeministri Sali Berisha se Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e tij ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken. Ai tha se bëhet fjalë vetëm për depozitimin e dosjes pranë gjykatës.

“Unë kontaktova zyrën e shtypit të tribunalit të Parisit për të marrë informacion për çështjen e Sali Berishës. Fola me një magjistrat të ngarkuar në marrëdhëniet me shtypin. Zotëria më shpjegoi se procedura ka tre faza. Depozitohet dosja, më pas personi që ka depozituar dosjen merr njoftimin se dosja u pranua nga gjykata, pro kjo nuk do të thotë se çështja do gjykohet në themel. Nëse kjo çështje do trajtohet apo hyn në kompetencat e gjykatës së Parisit vendoset pastaj. Ky është një shërbim për qytetarët francezë. Berisha arsyeton se krimi ka ndodhur në internet dhe internet ka në Francë. Jemi thjesht në fazën që çështja është protokolluar, nuk ka asnjë më shumë”, tha gazetari.

Më tej, Albi Xhunga shton se në njoftimin e Sali Berishës kishte dy probleme.

“Ai thotë se gjyqtari ka pranuar çështjen. Po cili gjyqtar? Gjyqtari ka një emër. Gjyqtari i pretenduar i Sali Berisha nuk mund të identifikohet. Çështja ka vajtur deri në Amerikë, por mediat i referohen deklaratave të Sali Berishës. Nuk është Berisha që i bën thirrje Blinken për të paraqitur prova, por është gjykata që i kërkon ato prova, nëse vendos të marrë në shqyrtim çështjen”-tha ai.

Interesant është fakti se asnjë nga mediat apo autoritetet amerikane nuk ka kërkuar informacion pranë gjykatës lidhur me rastin, duke lënë të kuptohet se është një çështje pa interes për ta.

“Asnjë autoritet apo media amerikane nuk është interesuar në zyrat e kësaj gjykate për të marrë informacion për këtë çështje. Vetëm një media franceze ka kërkuar informacion. Do ketë një shqyrtim paraprak, ku do të vendoset nëse dosja do të pranohet për gjykim apo jo”, u shpreh Xhunga.

You may also like