GAZA – 10 palestinezë të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite kundër ”Xhihadit islamik”

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

RRIPI I GAZËS, 6 gusht /ATSH-AA/ – Të paktën 10 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës.

Sipas deklaratës së Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, në mesin e të vrarëve është edhe një vajzë pesëvjeçare dhe një anëtar udhëheqës i lëvizjes “Xhihadi islamik”.

“Dhjetë palestinezë u vranë dhe 44 të tjerë u plagosën në një seri sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë.

“Xhihadi islamik” tha në një deklaratë për media se Taysir al-Jabari, komandanti i rajonit verior të krahut ushtarak të grupit, ishte në mesin e të vrarëve.

Ushtria izraelite konfirmoi gjithashtu në një deklaratë se kishte shënjestruar Taysir al-Jabarin dhe 10 aktivistë, duke pretenduar se ata kishin synim të lëshojnë raketa kundërtank dhe të realizojnë operacione me snajper.

Një burim i ushtrisë izraelite i tha të përditshmes izraelite ”Yedioth Ahronoth” se të paktën 15 aktivistë të lëvizjes “Xhihadi islamik” u vranë në sulmet.

Ka reaguar edhe lëvizja ”Hamas” duke pohuar se “rezistenca me të gjitha armët dhe fraksionet ushtarake janë të bashkuara në këtë betejë”.

Autoriteti Palestinez dënoi agresionin izraelit kundër Rripit të Gazës.

Në një deklaratë për media, Autoriteti Palestinez i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë këtë “agresion” duke e konsideruar ushtrinë si përgjegjëse për këtë përshkallëzim të rrezikshëm.

Autoriteti Palestinez i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që t’i bëjë presion Izraelit për të ndaluar agresionin kundër palestinezëve kudo, veçanërisht në Gaza, dhe t’u sigurojë atyre mbrojtje ndërkombëtare./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like