Gara për rektor, asnjë grua nuk e synon postin – Shqip

by admin
Spread the love

Asnjë grua nuk është kandidate për të parën e Rektoratit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina.

Qerim Qerimi nga Fakulteti Juridik, Ilir Tolaj, nga ai i Mjekësisë, Sali Aliu nga i Bujqësisë, But Dedaj, nga Fakulteti Ekonomik, Ermir Rugova e Sefer Avdiaj nga FSHMN-ja, janë ata që iu bashkuan garës për rektor, njofton Klankosova.tv.

Kjo konsiderohet shqetësuese për Dibran Hoxhën e organizatës së arsimit “ORCA”.

Ai për Klankosova.tv thotë se ka stagnim në zhvillimin e barazisë gjinore brenda UP-së.

“Ne si organizatë kemi dal me një reagim publik përmes të cilit kemi theksuar se kandidaturat aktuale për postin e rektorit në UP, tregojnë më së miri se procesi i kandidimit dhe përzgjedhjes së rektorit të ri tashmë është komprometuar për shkak të manovrave dhe makinacioneve paraprake që ndodhën me rastin e shkarkimit të ish rektorit Sahiti”.

“Përveç kësaj, fakti që asnjë grua nuk ka kandiduar për këtë pozitë, përforcon brengën tonë në ngecje të afirmimit për barazi gjinore brenda universitetit, shqetësimet rreth ngacmimeve seksuale të raportuara në UP etj. Këto të gjitha mund të jenë pengesa bazë që e minojnë besimin grave nga radhët e stafit akademik që të kenë aspirata për këtë pozitë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, deklaron se gratë në Universitetin e Prishtinës mbesin të papërfaqësuara në të gjitha nivelet akademike e shkencore në këtë institucion.

“Gratë përbëjnë pak më shumë se një të tretën e mësimdhënësve në UP, janë më pak se një e pesta e dekaneve, ndërkaq mbesin të papërfaqësuara sa duhet edhe në postet e tjera të udhëheqjes. Sa i përket kandidimit për rektor të UP-së, mendoj se vetëm akademike Justina Pula para disa vitesh ka qenë kandidate serioze për këtë pozitë të lartë në UP. Arsyeja mendoj qëndron në faktin se ne mbesim një shoqëri maskuliniste, e cila e matë njeriun me kilogramë të muskujve e jo me gramë të mendjes”.

“Problemi bëhet edhe më i madh sepse gratë e kanë introjektuar qasjen dominuese maskuliniste të shoqërisë kosovare dhe e kanë humbur besimin në aftësitë e veta udhëheqëse. Edhe ne si shoqëri, kur mendojmë për kandidatet e mundshme për pozita të larta, se pari (ose kryekëput) mendojmë në meshkuj. Në të vërtetë ka shumë hulumtime që tregojnë se prania më e madhe e grave në pozita udhëheqëse e bën organizatën me humane dhe më efektive”, ka thënë Rexhaj.

Konkursi për rektor të UP-së është hapur më  24 tetor të këtij viti dhe ka mbaruar më 7 nëntor.

You may also like