Ganimete Musliu: Qeverisja e Albin Kurtit, ka filluar të shndërrohet në rrezik real për Kosovën

by admin
Spread the love

Sot 1 vit, Albin Kurti, arriti të bëjë atë që nuk e bëri asnjë lider tjetër në zgjedhjet nacionale. Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të 2021 ai fitoi mbi 50% të votave.

Një ndihmë ia dha edhe Vjosa Osmani e cila një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve i bashkoi forcat me partinë e Kurtit, duke garuar në një listë të përbashkët.

Kurti e Osmani pas rezultateve të para dolën në një konferencë të përbashkët për media.

“U vërtetua sot që zgjedhjet ishin referendum. Ky referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, kishte thënë Kurti më 14 shkurt të vitit të kaluar.

“Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë për të gjithë qytetarët e saj. Sot vota juaj, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E, kemi pritur të gjithë gjatë këtë ditë por sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur e të dëshiruar”, ishte shprehur Osmani një vit më parë.

Por një vit pas nga fitorja e madhe, nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës vlerësojnë se Kurti dhe qeveria e tij kanë zhgënjyer qytetarët.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, thotë se një vit qeverisje të Kurtit ka dështuar, zhgënjyer dhe mashtruar.

“As kundërshtarët më të egër të Albinit nuk e kanë parashikuar se sa amater do ishte Albini në menaxhimin real të problemeve dhe sfidave. Pasiguria që vetëm sa rritet me çdo ditë të qeverisjes së Albin Kurtit, ka filluar të shndërrohet në rrezik real për Kosovën. Një vit qeverisje të Albin Kurtit fatkeqësisht mund ta përmbledhësh me tri fjalë: zhgënjim, mashtrim, dështim”, ka thënë Musliu.

Ajo thotë se qeverisja e Kurtit e ka një të mirë që siç pohon, militantët e tij e kanë kuptuar që shteti nuk udhëhiqet me poezi.

“Një të mirë e ka kjo qeverisje megjithatë; edhe Albini por edhe militantët e tij e kanë kuptuar që shteti nuk udhëhiqet me poezi nën një dhe nën dy hallat, tezet e kushërinjtë nuk janë vetëm për dasma, por kanë jetën dhe të drejtat e tyre si gjithsecili qytetar tjetër”, ka thënë Musliu për Reporteri.net.

Kujtojmë se Qeveria Kurti u votua në Kuvend më 22 mars.

Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, ka 61 deputetë, e dyta renditet PDK-ja më 19 deputetë, pas saj LDK-ja më 15 dhe AAK-ja më 8 deputetë.

20 vende të garantuara u takojnë pakicave, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës.

You may also like