G20 – Biden: E pagjasë që raketa që goditi fshatin polak të jetë lëshuar nga Rusia

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

NUSA DUA (Indonezi) 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Nuk ka gjasa që raketa që goditi një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën të jetë nisur nga territori rus, tha sot presidenti amerikan, Joe Biden, duke cituar informacione mbi trajektoren e raketës.

”Ka indikacione se raketa që goditi një fshat në Poloninë lindore ishte një raketë kundërajrore nga Ukraina”, u tha sot Biden liderëve botërorë.

Duke informuar gazetarët pas një takimi urgjent me liderët botërorë në kuadër të samitit të G20 në Bali, Biden tha se kishte “informacion paraprak” që kundërshtonte supozimet se raketa që shkaktoi një shpërthim në Przewodow ishte lëshuar nga Rusia.

Presidenti amerikan theksoi se hetimet për incidentin janë ende në vazhdim.

Kishte “unanimitet të plotë” midis liderëve botërorë për të mbështetur Poloninë, një anëtare e aleancës perëndimore të mbrojtjes NATO, në hetimet e saj për shpërthimin, tha Biden. “Unë do të sigurohem që të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur.”

Një deklaratë e përbashkët e liderëve të NATO-s dhe G7, e lëshuar pas takimit nga Shtëpia e Bardhë tha se liderët ofruan “mbështetjen dhe ndihmën e tyre të plotë për” hetimin e  ngjarjes në Poloni.

“Ne jemi dakord të qëndrojmë në kontakt të ngushtë për të përcaktuar hapat e duhur të ardhshëm ndërsa hetimi vazhdon”, thuhet në deklaratë.

Ata dënuan gjithashtu “sulmet barbare me raketa që Rusia kreu në qytetet dhe infrastrukturën civile të Ukrainës”, që ndodhën të martën.

“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën dhe popullin ukrainas përballë agresionit të vazhdueshëm rus, si dhe gatishmërinë tonë të vazhdueshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për sulmet e saj të pacipë ndaj komuniteteve ukrainase, edhe pse G20 mblidhet për t’u marrë me ndikimet më të gjera të lufta”, thuhet në deklaratë.

“Ne të gjithë shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave në Poloni dhe Ukrainë.

”Shpërthimi i së martës në një fermë polake, gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, vrau dy persona”, sipas Ministrisë së Jashtme polake.

“Në momentin kur bota ishte mbledhur në G20 për të nxitur shpërshkallëzimin, Rusia ka zgjedhur të përshkallëzohet në Ukrainë”, tha Biden./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like