Fundosja e anijes simbol të Rusisë, një siklet i madh për Vladimir Putinin

by admin
Spread the love

Fundosja e anijes ruse në Detin e Zi është një goditje e madhe për ushtrinë e Moskës dhe një siklet i madh për presidentin Vladimir Putin, shkruan Skynews.

Moskva u bë anija e parë luftarake që fundoset gjatë një konflikti që nga Lufta e Falklands, kur u mbyt në brigjet e Ukrainës.

Në fakt, ajo mund të jetë anija luftarake më e madhe e fundosur në kohë lufte që nga viti 1945. Ukraina thotë se ka goditur anijen luftarake me dy raketa.

Ndërsa Rusia nuk ka konfirmuar asnjë sulm. Zyrtarët rusë kanë thënë së një zjarr në bord shkaktoi shpërthimin e municioneve, duke shkaktuar dëmtimin e anijes.

Anija u fundos ndërsa po tërhiqej në breg.

Një zyrtar perëndimor tha se shpjegimi rus për shkakun e dëmtimit të anijes është “i vështirë për t’u besuar” dhe nëse do të ishte i vërtetë do të tregonte paaftësi serioze nga ana e ushtrisë ruse.

Në të kundërt, pretendimi ukrainas duket “i besueshëm”, tha zyrtari perëndimor.

Sido që të jetë e vërteta, fundosja e anijes është një goditje tjetër për Rusinë pasi lufta e saj kundër Ukrainës hyn në javën e tetë, ende pa asnjë fitore të madhe, duke pësuar humbje të mëdha të ushtrisë dhe arsenalit ushtarak.

Presidenti Putin do të duhet gjithashtu të shpjegojë pse luftanija e tij kryesore në Detin e Zi nuk është më.

Nëse pretendimi ukrainas për sulmin raketor është i vërtetë, kjo do të sinjalizojë pikënisjen për aftësinë e Ukrainës për të sulmuar anijet nga bregu, që do të thotë se anijet e tjera ruse në Detin e Zi dhe Detin Azov janë në rrezik, diçka që komandantët e tyre ndoshta nuk e kishin parashikuar më parë.

Moskva, anija e epokës sovjetike e krijuar për të kundërshtuar fuqinë amerikane

Moskva hyri për herë të parë në shërbim të marinës sovjetike në vitin 1983. Ajo u ndërtua në Ukrainën e atëhershme Sovjetike dhe në atë kohë quhej Slava (Lavdi).

Anija  u riemërua Moskva (Moskë) në 1995 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Në anijen Moskva u bë takimi i liderit sovjetik Mikhail Gorbachev dhe Presidentit të SHBA-së Xhorxh Bush në Maltë në dhjetor 1989.

Vladimir Putin ka mbajtur gjithashtu takime në bord me liderë botërorë.

Moskva ishte e armatosur me shumë raketa kundër-anije dhe tokë-ajër.

Rusia ka dy anije të tjera të së njëjtës klasë, Marshal Ustinov dhe Varyag, të cilat shërbejnë përkatësisht me flotën e Rusisë Veriore dhe Paqësorit, që veprojnë në oqeane të largëta.

Anijet u projektuan në Bashkimin Sovjetik në fund të viteve 1970 për të kundërshtuar grupet e aeroplanmbajtësve amerikanë dhe për të siguruar mbrojtje ajrore për anijet sovjetike.

You may also like