FRANCË – Parlamenti sanksionon një ligjvënës pas ndërhyrjes raciste

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

PARIS, 4 nëntor /ATSH-DPA/-Parlamenti francez ka vendosur sanksione të ashpra ndaj një deputeti nacionalist të ekstremit të djathtë pas një ndërhyrjeje raciste.

“Gregoire de Fournas i partisë “Tubimi Kombëtar” nuk do të lejohet të hyjë në parlament për 15 ditë dhe paga e tij do të përgjysmohet për dy muaj”, sipas vendimit të parlamentit.

Përveç deputetëve të “Tubimit Kombëtar”, të gjithë ligjvënësit e pranishëm nga grupet e tjera politike votuan pro sanksionit të propozuar nga Këshilli i Pleqësisë së Kuvendit.//a.i/

Ndërsa deputeti me ngjyrë, Carlos Martens Bilongo po fliste në podium për një anije me refugjatë të bllokuar dje në Mesdhe, de Fournas bërtiti: “Lërini të kthehen në Afrikë”.

Në gjuhën e folur frënge, ishte e pamundur të dallohej nëse ai i referohej deputetit të partisë së majtë “La France Insoumise” (Franca e Papërkulur) apo migrantëve në barkë, për shkak se fjalët “il” (ai/atë) dhe “ils” (ata/atyre) tingëllojnë njësoj.

Carlos Martens Bilongo u përgjigj menjëherë: “Në asnjë mënyrë”.

Në parlament u bë një bujë e madhe dhe shumë deputetë thërrisnin: “Largohu… dil jashtë!”.

Martens Bilongo e quajti atë një turp pasi seanca u ndërpre.

“Sot më nënshtruan për shkak të ngjyrës së lëkurës sime. Kam lindur në Francë, jam deputet francez”, tha ai.

Pas skandalit, deputeti i ekstremit të djathtë tha se ishte një keqkuptim. Ai i ishte referuar refugjatëve në varkë dhe jo kolegut të tij parlamentar. Deri më tani nuk ka kërkuar falje. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like