Ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard, “befasoi” të premten kur e komentoi aplikimin e Kosovës për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Kandidatura në fjalë është hap i njëanshëm dhe në këtë kontekst ne nuk përkrahim veprimet e njëanshme. Ne mendojmë se prioritet në dialog janë temat si Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë ,çështjet e energjetikës, dhe ajo e personave të pagjetur .Ky është për ne prioritet”tha Cochard për televizionin NOVA S, në Beograd.
Përkundër kësaj Cochard, shtoi se e kupton qëllimin e Kosovës për të hyrë në Institucionet e Bashkimit Evropian dhe përshëndet rreshtimin kosovar me evropianët sa i përket Ukrainës.
Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla Schwarz, pasdite tha se nuk e ka lexuar deklaratën e ambasadorit francez por mendon se Parisi zyrtar i rri krah Kosovës.
“Unë kam biseduar me përfaqësues të ndryshëm të Bashkimit Evropian ndërsa ta edhe me përfaqësues të Francës dhe ne na është thënë që Franca e mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.” theksoi Gërvalla-Schwarz.