Formacioni i mundshëm, ja si pritet të rreshtohet Kombëtarja në sfidën me Moldavinë

by admin
Spread the love

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur dje përgatitjet në Tiranë dhe mëngjesin e sotëm do të udhëtojë drejt Moldavisë. Për të ndier disi edhe fushën e “Air Albania”-s në këmbët e tyre, Silvinjo kishte vendosur që këtë seancë të fundit në tokën shqiptare, ta zhvillonte në stadium dhe jo te “Shtëpia e Futbollit”.

Ekipi zbriti në fushë në orën 16:45, teksa fatmirësisht dhe si rrallëherë, grupi me 24 lojtarë ishte i plotë në urdhrat e Silvinjos dhe gëzon një formë të mirë fizike. Skuadra mori ngarkesë të plotë, ndërsa stërvitja u fokusua më shumë te topi dhe te disa situata loje.

Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë sot rreth orës 8:30 të mëngjesit drejt Kishinaut, kryeqytetit moldav. Pas mbërritjes, skuadra do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore zyrtare para ndeshjes në stadiumin “Zimbru”, ndërkohë që trajneri me kapitenin e ekipit do të dalin në konferencën për shtyp.

Ndeshja do të nisë nesër në orën 18:00 dhe një pikë mund të vendosë kualifikimin e menjëhershëm të Shqipërisë në Europian për herë të dytë në historinë e saj. Sakaq, me 20 nëntor, Shqipëria do të presë përfaqësuesen e Ishujve Faroe në stadiumin “Air Albania”.

FORMACIONI

Silvinjo do t’i qëndrojë besnik formacionit të ndeshjes së fundit me Çekinë, me vetëm një ndryshim të detyruar. Arlind Ajeti nuk ia doli për shkak dëmtimi, por gjithsesi në ekip është kthyer Ardian Ismajli dhe ai do të jetë krah Gjimshitit në mbrojtje.

Nga krahët Hysaj dhe Mitaj. Po ashtu edhe mesfusha e pandryshuar me Ylber Ramadanin dhe Kristjan Asllanin dhe para tyre Nedim Bajrami.

Edhe në vijën e sulmit nuk ka surpriza pasi në krahun e djathtë pritet ta nisë Jasir Asani, ndërkohë në të majtën Taulant Seferi dhe në majën e sulmit Sokol Cikalleshi.

Ndërkaq në dispozicion për brazilianin do të jenë edhe emra si: Tomas Strakosha, Elhan Kastrati, Jon Mersinaj, Frederik Veseli, Ivan Balliu, Qazim Laçi, Keidi Bare, Klaus Gjasula, Arbnor Muja, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Mirlind Daku dhe Arbnor Muçolli.

You may also like