FOKUS – Zelensky: Rusia po bën luftë gazi me Evropën

by admin
Spread the love

KIEV, 26 korrik /ATSH/ – Ukraina ka akuzuar Moskën për një luftë gazi kundër Evropës dhe ndërprerjen e furnizimeve për të shkaktuar terror mbi njerëzit, shkruan BBC.

Kompania ruse e energjisë ”Gazprom” ka njoftuar se do të reduktojë edhe një herë flukset e gazit në Gjermani për të lejuar punën në një turbinë në tubacionin ”Nord Stream 1”, por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se ”ishte thjesht një shantazh gazi kundër Evropës”.

Tubacioni ”Nord Stream 1”, i cili pompon gazin nga Rusia në Gjermani, ka funksionuar shumë më poshtë kapacitetit prej javësh.

Në fillim të këtij muaji, tubacioni më i madh evropian i Rusisë u mbyll plotësisht për shkak të një ndërprerjeje 10-ditore të mirëmbajtjes duke ngritur shqetësimet në Evropë se dërgesat nuk do të rifillonin fare.

Dërgesat rifilluan pesë ditë më parë, ndonëse ende me kapacitet të reduktuar.

Por, të hënën, Gazprom njoftoi se do të shkurtonte furnizimin e tij me gaz edhe një herë.

Këtë herë, ai tha se ”duhej të reduktonte furnizimin me gaz në rreth gjysmën e niveleve aktuale për të kryer punë mirëmbajtjeje”.

”Shantazhi i gazit i Evropës, i cili po përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm që një shtet terrorist t’ia bëjë jetën më të keqe çdo qytetari evropian”, theksoi Zelensky.

BE-ja, e cila mori 40% të gazit të saj nga Rusia vitin e kaluar, akuzoi gjithashtu Rusinë për përdorimin e energjisë si armë.

Reduktimi i fundit i flukseve po ushtron presion mbi vendet e BE-së për të reduktuar më tej varësinë e tyre nga gazi rus dhe ka të ngjarë ta bëjë më të vështirë për ta rimbushjen e furnizimeve të tyre me gaz përpara dimrit.

Ministrat evropianë të Energjisë do të takohen të martën në Bruksel ku shpresojnë të nënshkruajnë një përgjigje të përbashkët ndaj krizës.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të reduktojnë konsumin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like