FOKUS – Zelensky: Raporti i “Amnesty International” nuk mund të tolerohet

by admin
Spread the love

KIEV, 5 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lidhur me raportin e fundit të “Amnesty International”, sipas të cilit trupat ukrainase rrezikuan civilët dhe shkelën ligjin ndërkombëtar në luftën e vazhdueshme kundër Rusisë, ka deklaruar se ai nuk mund të tolerohet.

”Nuk mund të ketë, madje edhe hipotetikisht, asnjë kusht nën të cilin ndonjë sulm rus ndaj Ukrainës bëhet i justifikuar. Agresioni kundër shtetit tonë është i paprovokuar, pushtues dhe në mënyrë të hapur terrorist”, tha Zelenskyy në një deklaratë.

”Nëse dikush bën një raport në të cilin viktima dhe agresori gjoja janë të njëjta në diçka, nëse analizohen disa të dhëna për viktimën dhe injorohet se çfarë ka bërë agresori në atë kohë, kjo nuk mund të tolerohet”, shtoi ai.

Dje, “Amnesty International” në një raport kishte renditur incidente në 19 qytete dhe qyteza ku forcat ukrainase dukej se i kishin vënë në rrezik civilët, duke krijuar baza në zona të banuara, gjetje që Zelensky i barazoi me fajësimin e viktimave.

Grupi i njohur i të drejtave të njeriut tha se një hetim katërmujor zbuloi se ”ushtria ukrainase ka ngritur baza në shkolla dhe spitale” dhe se ”ka nisur sulme nga vendet e banuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar humanitar”.

”Megjithatë, strategjitë në asnjë mënyrë nuk justifikojnë sulmet pa dallim të Rusisë, të cilat kanë vrarë dhe plagosur civilë të panumërt”, sipas raportit të AI.

”Kushdo që amniston Rusinë dhe që artificialisht krijon një kontekst të tillë informativ se disa sulme nga terroristët supozohet se janë të justifikuara ose gjoja të kuptueshme, nuk mund të mos përfytyrohet se i ndihmon terroristët”, u përgjigj Zelensky.

Duke e quajtur raportin manipulues, presidenti ukrainas tha se publikimi i tij ndan përgjegjësinë për vdekjen e njerëzve.

Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 5 237 civilë janë vrarë dhe rreth 7 000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës.

Rreth 10 milionë njerëz po ashtu kanë ikur jashtë vendit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like